Një javë nga sulmi me thikë në Komoran, njëri nga të plagosurit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë
Ka kaluar një javë nga sulmi i rëndë me thikë në Komoran, ku mbetën të plagosur tre persona. Njëri prej tyre, L. Shala, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Familjarët e tij kanë bërë të ditur se ai deri më tani i është nënshtruar tri ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa operacioni i fundit ka zgjatur rreth katër orë.
Ndërkohë, dy të dyshuarit për këtë rast, me mbiemrin Muqaku nga fshati Nekoc, vazhdojnë të jenë në arrati, ndërsa Policia e Kosovës ende nuk ka njoftuar për arrestimin e tyre.
Me rastin po merren hetuesit rajonalë, të cilët po vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
DrenicaOnline ka siguruar edhe pamje të viktimës së therur me thikë, mirëpo për shkak të natyrës së rëndë dhe ndjeshmërisë së tyre, ka vendosur të mos i publikojë.

