Lajm i mirë për veteranët e UÇK-së

Avokati Nazmi Sallahu ka bërë të ditur se Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim që njeh të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të përfituar njëkohësisht pensionin e veteranit dhe pensionin e moshës, si dhe të drejtën e trashëgimtarëve për pension pas vdekjes së veteranit.

Sipas Sallahut, pensioni i veteranit është një e drejtë që buron nga sakrifica dhe kontributi i dhënë gjatë luftës çlirimtare dhe nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i pensionit të moshës apo atij kontributdhënës, të cilët fitohen mbi baza të tjera ligjore.

Ai thekson se mohimi i së drejtës për të përfituar dy pensione ka krijuar pabarazi dhe ka cenuar parimet e barazisë para ligjit, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së të drejtave të fituara. Sipas tij, çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të mbështetet në një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për veteranët e UÇK-së, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të zbatojnë vendimin në praktikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë