Kompania Meli pas zjarrit në kamion: U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve për bllokimin e autostradës
Kompania Mishtore Meli ka reaguar pas incidentit të ndodhur të martën në autostradën Prishtinë-Pejë, më saktësisht në fshatin Arllat, ku një kamion i saj për transportimin e bagëtive u përfshi nga zjarri, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit dhe kolona të gjata automjetesh.
Në një reagim, kompania ka kërkuar falje për pengesat e shkaktuara në trafik, duke shprehur keqardhje për situatën e krijuar.
“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për vonesat, pritjet dhe vështirësitë e shkaktuara. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për shqetësimin që një situatë e tillë ka krijuar për shumë udhëtarë dhe shprehim keqardhjen tonë të sinqertë”, thuhet në reagimin e Mishtore Melit.
Meli ka falënderuar gjithashtu qytetarët që ndaluan për të ndihmuar menjëherë pas incidentit, duke vlerësuar solidaritetin e treguar.
“Shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të veçantë për të gjithë qytetarët, kalimtarët dhe personat që u ndalën dhe ofruan ndihmë në momentet e para të incidentit, duke treguar solidaritet dhe gatishmëri të jashtëzakonshme”, thuhet më tej.
Kompania ka shprehur mirënjohje edhe për ekipet dhe institucionet që u angazhuan në menaxhimin e situatës dhe normalizimin e qarkullimit.
“Falënderojmë gjithashtu ekipet dhe institucionet përgjegjëse që kontribuuan në menaxhimin e situatës, sigurimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit. Mirëkuptimi, durimi dhe solidariteti i treguar nga qytetarët në një moment të vështirë kanë qenë jashtëzakonisht të çmuara për ne.”
Në fund, kompania ka përsëritur kërkimfaljen për bllokimin e komunikacionit.
“Edhe një herë, kërkojmë falje për pengesat e shkaktuara në komunikacion dhe falënderojmë nga zemra secilin që ndihmoi”, përfundon reagimi i kompanisë Meli.


