Publikohet aktvendimi: Ja sa është çmimi orientues për korrje-shirjet në Drenas
Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komunës së Drenasit ka nxjerrë aktvendimin për përcaktimin e çmimit orientues të shërbimeve të korrje-shirjeve të drithërave të bardha (grurë, elb, tërshërë dhe thekër) në territorin e Komunës së Drenasit.
Me këtë aktvendim, çmimi orientues është caktuar në 140 euro për hektar, ndërsa çmimi përfundimtar i shërbimit përcaktohet me marrëveshje ndërmjet fermerëve dhe autokombajnerëve.
Aktvendimi përcakton gjithashtu se autokombajnat duhet të jenë në gjendje të mirë teknike, me qëllim të minimizimit të humbjeve gjatë korrje-shirjes, si dhe të pajisen me mjetet e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, në përputhje me kërkesat e përcaktuara.
Zbatimi i këtij aktvendimi do të mbikëqyret nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndërsa për moszbatimin e dispozitave të tij do të ndërmerren masat përkatëse.
Aktvendimi i plotë është bashkëngjitur këtij njoftimi.

