Isak Neziri lanson webfaqen e Fondacionit “Leotrim Ahmeti”, vazhdon aktivitetet humanitare edhe pas zgjedhjeve
Ish-kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Isak Neziri, ka lansuar zyrtarisht webfaqen e Fondacionit “Leotrim Ahmeti”, një nismë humanitare që, sipas tij, e ka më për zemër se çdo angazhim tjetër.
Neziri, i cili prej vitesh është angazhuar në iniciativa humanitare dhe mbështetje për qytetarët edhe jashtë proceseve zgjedhore, ka bërë të ditur se fondacioni synon të ndihmojë fëmijët e Kosovës përmes bursave dhe projekteve të tjera në arsim.
“Leotrimi i vogël ka lënë pas shumë dashuri. Prandaj edhe ky fondacion është mënyra jonë për ta kthyer atë dashuri në diçka të mirë për fëmijët e Kosovës. Përmes bursave për vitin 2026, duam t’u japim mundësi fëmijëve që kanë ëndrra, vullnet dhe nevojë për një dorë që i shtyn përpara”, ka shkruar Neziri.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve në Kosovë dhe diasporë që t’i bashkohen kësaj nisme përmes donacioneve, duke theksuar se fondacioni synon të krijojë mundësi më të mira për fëmijët në nevojë.
Në mesazhin e tij, Neziri e përmbyll me fjalët: “Për Leotrimin. Për fëmijët e Kosovës. Për të mirën që mund ta bëjmë bashkë.”
Linku ku mund të dhuroni: https://fondacionileotrim.de/


