Buja sfidon Abdixhikun: Me kë kishte Imri Ahmeti marrëveshje të fshehta politike në Lipjan? (VIDEO)
Ish-deputeti dhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit nga PDK, Shukri Buja, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke ngritur dyshime për ekzistimin e marrëveshjeve politike të fshehta në Lipjan.
Buja iu referua deklaratës së Abdixhikut, ku ai kishte thënë se kishte përkrahur dhe ndihmuar me “marrëveshje politike jo publike”, duke pyetur se me cilën parti ishin bërë ato marrëveshje dhe pse nuk ishin bërë publike.
“Me Vetëvendosjen apo me Listën Srpska? Cilat ishin ato marrëveshje, kush përfitoi prej tyre dhe pse duhej të mbeteshin të fshehta?”, ka shkruar Buja.
Ai shprehet se prej kohësh kishte dyshuar për zhvillimet politike në Lipjan, duke përmendur edhe rezultatet zgjedhore në këtë komunë, ku, sipas tij, ekziston një dallim i madh mes zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale.
Në reagimin e tij, Buja kritikon edhe ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, duke pretenduar se ai ka mashtruar figura të rëndësishme të LDK-së në nivel lokal dhe qendror, si dhe shumë bashkëpunëtorë politikë ndër vite.
Në fund, Buja rikujton rezultatet zgjedhore të PDK-së në Lipjan, duke theksuar se gjatë angazhimit të tij politik kishte mposhtur LDK-në në gjashtë raunde zgjedhjesh lokale dhe tri herë në zgjedhjet parlamentare (2007, 2010 dhe 2014), ndërsa shton se suksesi i PDK-së lidhet me, siç e quan ai, “një elektorat besnik që nuk blihet e nuk shitet”.
Statusi i plotë i Bujës:
Z.ABDIXHIKU, me kë kishte Imri Ahmeti marrëveshje politike të fshehta në Lipjan: me Vetëvendosjen apo me Listën Srpska!?
Një thënie popullore thotë: “Nxjerr një kashtë e dalin gjashtë!”
Lumir Abdixhiku, në deklaratat e tij për mashtrimin nga Gazi dhe Imriu, pa dashur nxori një “kashtë”:
“Ju kam ndihmuar dhe përkrahur edhe me marrëveshje politike jo publike…”
Por pyetja që kërkon përgjigje është: në Lipjan, me cilën parti ishin ato marrëveshje jo publike? Cilat ishin ato marrëveshje? Me kë u bënë? Kush përfitoi prej tyre? Dhe pse duhej të mbeteshin të fshehta?
Gjithmonë kam dyshuar!
Ishte e çuditshme pse VV nuk kandidoi figura të saj si Adnan Rrustemi apo Vlora Hajnuni, por një kandidat që nuk ishte pjesë e strukturave të VV-së dhe vinte nga një familje tradicionalisht votuese e PDK-së.
Si shpjegohet që në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, VV merr mbi 16 mijë vota, ndërsa LDK rreth 6 mijë, kurse kur vijnë zgjedhjet lokale pothuajse vetëm ndërrohen vendet: LDK merr rreth 15 mijë vota, ndërsa VV rreth 5 mijë apo edhe më pak.
Rastësi apo diçka që ende pret shpjegim?
Z.Abdixhiku, si nuk arritët ta njihnit Imri Ahmetin, kur ai kishte mashtruar edhe figura të mëhershme të LDK-së, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror?
Një njeri që kishte mashtruar edhe Fatmir Sejdiun e Isa Mustafën.
Në Lipjan dihet se shumë bashkëpunëtorë politikë të tij janë larguar me kalimin e viteve, madje edhe njerëz që kanë kontribuar në themelimin e LDK-së në këtë komunë dhe që kanë qenë ndër më meritorët për fitoret e tij.
A nuk e ke ditur sa njerëz ka mashtruar me premtime se do t’i bëjë funksionarë në komunë në çdo palë zgjedhje?
A nuk e ke ditur sa personalitete të fuqishme politiko-ushtarake nga Lipjani i ka përdorur për interesin e tij derisa u bë kryetar?
A nuk e ke ditur se në çdo palë zgjedhje, me projekte për banesa, ka mashtruar edhe bashkëluftëtarë të UÇK-së, ndonëse më parë i kishte fyer duke pretenduar se ishin abuzues me fëmijë gjatë luftës?
E ke ditur mirë, Lumir. Por financat që vinin për LDK-në nga Lipjani të yshtën drejt marrëveshjeve jo publike.Në fund, u mashtrove edhe vetë.
Po ta rikujtoj, meqë je shumë i ri:
Përveç këtyre dy palë zgjedhjeve parlamentare, ku PDK doli në vend të dytë, ndërsa LDK në të tretin, Shukri Buja e ka mposhtur LDK-në në gjashtë raunde zgjedhjesh lokale, si dhe tri herë në zgjedhjet parlamentare (2007, 2010 dhe 2014), ku PDK ka dalë forcë e parë në Lipjan.
Rezultatet e PDK-së në Lipjan dhe në Kosovë nuk janë rastësi. Ato lidhen me një elektorat shumë besnik, që nuk blihet e nuk shitet dhe që i ruan bindjet e veta politike e atdhetare👍


