Dyshime për rrjedhje të Testit të Arritshmërisë, pyetjet qarkulluan në grupe në rrjetet sociale

Testi i Arritshmërisë ka nisur sot në mbarë Kosovën, ku rreth 23 mijë nxënës po i nënshtrohen vlerësimit të njohurive të fituara gjatë arsimit të mesëm të ulët.

Megjithatë, edhe para fillimit të testit janë ngritur dyshime për rrjedhje të pyetjeve, pasi ato kanë nisur të qarkullojnë në grupe të ndryshme të krijuara në rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit.

Sipas informacioneve të siguruara, në grupe të organizuara në Viber, WhatsApp dhe platforma të tjera, nxënësit kanë krijuar “chat room”-e të ndryshme, ku dyshohet se janë shpërndarë pyetjet e testit dhe materiale që lidhen me të.

Një prind, i cili ka kontaktuar redaksinë e DrenicaOnline, thotë se pasi ka kontrolluar telefonin e vajzës së tij, ka vërejtur një numër të madh grupesh ku diskutohej për Testin e Arritshmërisë dhe po shpërndaheshin fotografi të pyetjeve.

“E mora telefonin e vajzës sime dhe pashë se kishin hapur shumë grupe në Viber, WhatsApp e platforma të tjera. Në këto grupe kishte shumë mesazhe për Testin e Arritshmërisë. Mora disa fotografi për t’jua dërguar, sepse më thanë se jeni një faqe e drejtë dhe e besueshme. Ju kërkoj ta publikoni këtë rast dhe të kërkohet ndalimi i testit”, ka deklaruar prindi.

Pretendimet për rrjedhjen e pyetjeve nuk janë konfirmuar ende nga institucionet përgjegjëse. Pritet që Ministria e Arsimit dhe organet kompetente të dalin me një qëndrim zyrtar lidhur me rastin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë