Drenicasja Fatbardha Osaj emërohet Atashe Ushtarake në Shqipëri, …e para grua në këtë pozitë nga FSK-ja
Fatbardha Osaj nga fshati Klinë e Skenderajt është emëruar Atashe Ushtarake e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, duke u bërë gruaja e parë nga Forca e Sigurisë së Kosovës që emërohet në këtë pozitë.
Vendimi për emërimin e saj është marrë nga Ministria e Mbrojtjes pas përfundimit të një procesi konkurrues përzgjedhës. Osaj doli kandidatja më e suksesshme në mesin e tre kandidatëve që ishin në garë për këtë post, shkruan Jepi zë.
Sipas rezultateve të vlerësimit, ajo arriti të grumbullojë 91 pikë nga gjithsej 100 të mundshme, duke u renditur e para dhe duke siguruar emërimin në detyrën e Atasheut Ushtarak.
Emërimi i saj konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm në karrierën personale, por edhe për përfaqësimin e grave në pozita të larta ushtarake dhe diplomatike.
Me këtë emërim, Fatbardha Osaj shkruan histori si gruaja e parë nga Kosova që merr detyrën e Atasheut Ushtarak, duke përfaqësuar vendin në Republikën e Shqipërisë./ Jepi zë

