“Pusho në paqe bashkëvendasi ynë”, ekipi i Negrocit nderon Bedri Krasniqin

Fshati Negroc sot i dha lamtumirën e fundit biznesmenit dhe sportdashësit të njohur, Bedri Krasniqit, i cili humbi jetën tragjikisht. Bedri Krasniqi njihej si pronar i një fabrike në Negroc dhe si një përkrahës i madh i aktiviteteve sportive në fshat, transmeton DrenicaOnline.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij, ekipi i futbollit të vogël “Dëshmorët e Negrocit” u paraqit sot në ndeshjen e radhës të turnirit “Abedin Bujupi”, që po mbahet në Komoran, me një billbord ku ishte vendosur fotografia e Bedri Krasniqit dhe mbishkrimi: “Pusho në paqe bashkëvendasi ynë.”

Bedriu, së bashku me vëllain e tij Ganiun, kanë qenë sponsorizuesit kryesorë të ekipit “Dëshmorët e Negrocit”, duke mbështetur vazhdimisht sportin dhe të rinjtë e fshatit.

Gjesti i ekipit u vlerësua nga të pranishmit si një nderim i veçantë për njeriun që për vite me radhë qëndroi pranë sportistëve dhe aktiviteteve sportive në Negroc.

Kujtimi për Bedri Krasniqin pritet të mbetet i gjallë jo vetëm te familja dhe miqtë, por edhe te sportdashësit dhe banorët e fshatit që e njohën nga afër./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë