Ekskluzive: Biznesmeni i njohur nga Drenica pritet të jetë kandidat për deputet në listën e PDK-së
Shahin Dervishaj, biznesmeni i suksesshëm nga Drenica, i cili ka ndërtuar karrierë të shkëlqyer në Gjermani, pritet të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Dervishaj, i cili gëzon mbështetje të jashtëzakonshme në diasporë, është ftuar nga simpatizantët e PDK-së dhe zyrtarë të lartë të partisë që të futet në garën për Kuvendin e Kosovës. Mbështetja për të u dëshmua edhe gjatë organizimit të një tubimi madhështor në Stuttgart, gjatë muajit nëntor, ku mori pjesë edhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, i cili prezantoi programin e tij qeverisës, shkruan portali DrenicaOnline.
Shahin Dervishaj, që udhëheq një nga kompanitë më të fuqishme në rajonin ku jeton, shihet si një kandidat me potencial të madh për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai mund të jetë zëri i fuqishëm i diasporës shqiptare, por edhe i qytetarëve të Kosovës, duke sjellë përvojë dhe vizion të ri në politikën vendore.
Në javën e parë të dhjetorit pritet të miratohet lista përfundimtare e kandidatëve të PDK-së, ku mbetet të shihet nëse emri i Shahin Dervishajt do të jetë pjesë e saj. Një personalitet i tillë në Kuvendin e Kosovës mund të sjellë ndryshime pozitive dhe të përfaqësojë me dinjitet interesat e të gjithë qytetarëve.
/DrenicaOnline/