Enver Dugolli konfrontohet me vajzën e UDB’ashit Ajet Istogu, e denoncon në Inspektoriat Policor
Deputeti Enver Dugolli, tha se sot është takuar me bijën e Ajet Istogut, për të cilin ai kishte rrëfyer se e kishte torturuar gjatë qëndrimit të tij në burg.
Dugolli, në një postim në “Facebook” tha se e njëjta e ka ndaluar gjatë pauzës së drekës, dhe i është prezantuar si police.
“Trashëgimtarët e UDB-ashëve s’ndjejnë keqardhje për të bëmat e baballarëve të tyre. Diku rreth orës 13:30, në kohën kur kryesuesja e parlamentit shpalli kohën e pauzës për drekë, unë dola nga hyrja e deputetëve dhe së bashku me një koleg timin deputet po nxitonin për të drekuar. Menjëherë aty tek laura e parkingut, një zonjë nxiton në drejtim timin duke më thirrur; ”z.Dugolli, a mund të ndaleni se kam një bisedë”, tha ai.
Suzana Istogu, sipas tij i ka kërkuar llogari për deklaratat që i ka dhënë për babain e saj.
“Thënë të drejtën njëherë më shkoi mendja që paska dalur të më shprehte keqardhje për ato tortura që m’i kishte shkaktuar prindi i saj, Ajet Istogu, por shumë shpejtë e kuptova që ajo veç keqardhje nuk kishte dalur të më kërkonte. Gjithnjë me mirësjellje i drejtohem: Po, është e vërtetë se kam thënë qe më vije keq për fëmijët e tyre, sepse besoj qe fëmijët nuk janë fajtorë për prindërit e tyre, aq më tepër që fëmijët nuk mund t’i zgjedhin baballarët. Ajo me një lloj shpërfillje ma kthen: ”Nuk është në rregull qe e përmendni babain tim Ajet Istogu, Ajet Istogu…sepse unë e njoh babain tim…”, ka shkruar Dugolli.
Tutje, ai bëri të ditur se ka vendosur që këtë rast ta lajmëroj në Inspektoratin e Policisë së Kosovës
“I shokuar për këtë të papritur kur kisha përballë një pasardhëse të njeriut qe më kishte torturuar, e cila gjithashtu nuk hezitoi të ma rikujtonte se është Police e Kosovës, përveç bisedës që kisha me disa kolegë deputet, vendosa qe ta lajmëroj rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët besoj që do ta trajtojnë rastin me profesionalizëm.
Takimi me atë zonjën nuk ishte i rastësishëm, ajo kishte ardhur enkas, duke më pritur deri sa po dilja nga Parlamenti për të më treguar që përveçse s’ndjenë keqardhje, nuk ja ndien fare se çka flasin njerëzit qe kanë vuajtur torturat mizore të UDB-ashve”, përfundoi ai.