Ramiz Lladrovci: Stadiumi nacional, ose në Drenas ose sipas vendimit të Hashim Thaçit, në Bërnicë!
Shkruan: Ramiz Lladrovci
Me zhvillimin e Republikës së Kosovës, më 18 mars 2014, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, pati marrë vendim për ndërtimin e Stadiumit nacional – në Bërnicë, arenë në të cilën kombëtarja e Kosovës, do të zhvillonte ndeshjet ndërkombëtare.
Ky vendim i shumëpritur për Stadiumin ishte vazhdim i zhvillimeve të hovshme të shtetit më të ri evropian, i shtetit që me aleatët ngriti infrastrukturën shtetërore, parlamentin, qeverinë, gjyqësinë, policinë, ushtrinë, ministritë, diplomacinë, ekonominë, njohjet ndërkombëtare, autostradat, universitetet, etj. etj.
Më 4.12.2017, u mor vendim nga Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, në koalicion me PDK-në, kur partinë e udhëhiqte Kadri Veseli. Ishte kohë kur filloi projekti ideor, njëkohësisht filloi realizimi i hapave drejt realizimit të Stadiumit, si studimi i fizibilitetit, shpronësimet, etj.
Dilema për vendin e ndërtimit të Stadiumit nacional, filloi në kohë fushatash. Sigurisht, si kryetar komune, unë nuk e kam asnjë dilemë rreth stadiumit: Stadiumi duhet të ndërtohet domosdo, sot a nesër. Të gjitha detyrat tona i kemi realizuar kundrejt kërkesave rreth Stadiumit në Drenas.
Besoj, tashmë të gjithë pajtohen se na duhet Stadiumi nacional që të mos na përsëritet balta e ndeshjes së futbollit me Izraelin. Balta në Stadiumin “Fadil Vokrri”, shpërfaqi mungesën e arenës prezantuese për ndeshjet me renome në futboll, të sportit më të popullarizuar në botë.
Vendimi për Stadiumin Nacional, është marrë nga heronj të luftës dhe paqes, personalitete që vendin tonë e bënë shtet dhe përgjithmonë e ndryshuan Kosovën.
Tash mbetet dilema, ose do të ndërtohet në Drenas, ose sipas vendimit të Hashim Thaçit në Bernicë. Stadiumi duhet të bëhet dhe unë i gëzohem këtij stadiumi për djemtë tanë, për fitoret e Kosovës.