Protesta e policëve elitarë, Musliu: Duhet me qenë Qeveri shumë antikombëtare me i pru këta djem e vajza në këtë derexhe

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër pas protestës së policëve elitarë dje para objektit të Qeverisë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Musliu ka thënë se një Qeveri duhet të jetë shumë antikombëtarë që ta detyrojë këtë kategori të protestojë, teksa ka ironizuar me sloganin e famshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ‘Erdhi dita’.

“Erdhi dita, e kurrë mos u përsëritë një ditë si kjo! Duhet me qenë një qeveri shumë antikombëtare per mi pru këta djem e vajza në këtë deregje”, shkroi ajo.

Më tej deputetja e PDK-së kritikoi edhe deklaratat e kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Deklaratat e Sveçles dhe të Kurtit janë tendencë për të shkatërruar institucionin e policisë së Kosovës”, tha Musliu.

Njësiti Special Intervenues protestoi dje për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth vendimit për shtesat e policëve, që u mor gjatë mbledhjes së qeverisë të së premtes.

Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro.

Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat, të cilat sillen nga 45 deri në 150 euro dhe që pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.

Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë