Hajnat thyejnë shtëpinë e familjes Berisha, pronarja raporton se ia vodhën 5 kg stoli të argjendit

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin me mijëra euro e gjësende me vlerë pa lënë ndonjë gjurmë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar edhe familja Berisha në rrugën “Haxhi Krasniqi” në Prizren, ku hajnat kanë arritur të vjedhin të gjitha stolitë nga shtëpia.

Sinjali mëson se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë, duke e thyer derën dhe më pas kanë demoluar dhomat, prej ku kanë arritur që të vjedhin rreth pesë kilogramë stoli të argjendit.

Bazuar në dëshminë e pronares që ka denoncuar rastin në Polici, vjedhja mund të jetë kryer në muajt e fundit, pasi askush nuk ka banuar aty që prej fillimit të këtij viti.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë