Lladrovci përgjigjet rreth Stadiumit: Çdo qytet është mirë të ketë stadium të bukur, por një është Stadiumi Nacional në Drenas

Kryetari komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pranuar pyetje nga disa media rreth marrëveshjes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe Agim Ademit nga Federata e Futbollit të Kosovës, për ndërtimin e Stadiumit në Bërnicë, me ç’rast ka theksuar se mirë të ketë çdo qytet stadium të bukur, por një është Stadiumi Nacional në Drenas.

Lladrovci ka theksuar se “vendi ideal për Stadiumin Nacional, edhe sipas Studimit të fizibilitetit është komuna e Drenasit, në qendër të Kosovë, me lehtësi të qasjes nga të gjitha anët e Kosovës dhe autostradat, ambienti në natyrë miqësore dhe kushtet tjera specifike që i japin përparësi këtij lokacioni. Drenasi është zemra e Kosovës”.

Postimi i plotë:

Pas pyetjeve të mediave rreth marrëveshjes së Kryetarit të Prishtinës, z. Përparim Rama dhe kryetarit të kryetarit të FFK-së, z. Agim Ademi, për ndërtimin e stadiumit të Prishtinës, deklaroj si vijon:

Si përkrahës i sportit, mirëpres ndërtimin e stadiumeve dhe fushave sportive nëpër komunat tona, sigurisht, edhe për kryeqytetin. Bashkëpunimi i komunave me Federatën e Futbollit, në këtë drejtim, është më se i domosdoshëm dhe me peshë për avancimin e sportit.

Jo vetëm Prishtina, por edhe qytetet tjera kur ndërtojnë stadiume, është mirë për rininë tonë, për sportistët, qytetarët dhe dashamirët e sportit, por kur bëhet fjalë për Stadiumin Nacional, kjo gjë dihet.

Vendi i Stadiumit nacional është i përcaktuar, nga dy Qeveri dhe janë kryer procedurat e domosdoshme, me shpenzime të konsiderueshme për realizimin e tij. Studimet e thonë se cilat janë përparësitë e këtij ambienti në Drenas, mbi të cilat është marrë vendimi për Stadiumin.

Të gjitha komunat kanë nevojë për stadiume të mira e të bukura, edhe Prishtina, por, kur dihet lokacioni aktual në kryeqytet, zhvillimi i hovshëm i qendrës së Prishtinës dhe kushtet tjera, Stadiumin e tashëm e bëjnë jo atraktiv dhe në mospërputhje me të arriturat e Kosovës dhe kryeqytetit tonë.

Gara e lojëra ndërkombëtare mund të luhen në çdo stadium që i plotëson kushtet e përcaktuara, por në një shtet si Kosova, e meriton një Stadium nacional, një perlë për sportistët dhe sportdashësit tanë, me qasje e lehtësi të qasjes për të gjithë.

Vendi ideal për Stadiumin Nacional, edhe sipas Studimit të fizibilitetit është komuna e Drenasit, në qendër të Kosovë, me lehtësi të qasjes nga të gjitha anët e Kosovës dhe autostradat, ambienti në natyrë miqësore dhe kushtet tjera specifike që i japin përparësi këtij lokacioni. Drenasi është zemra e Kosovës!

https://www.instagram.com/p/CsnzL3QApzq/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë