Ramiz Lladrovci: Vetëm burrështetasit që i përzgjedh historia ndryshojnë epoka

Opinion

UÇK është adn-ja që solli epokën më të ndritur të kombit shqiptar, epokë në të cilën u kurorëzua synimi shekullor për pavarësi. Qëllimet e rezistencës shekullore ishin si të shkëputeshim nga Perandoria Otomane, vazhdoi me Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, për të vijuar me rezistencën ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë.

Kombi ynë, përjetoi ngulfatje në zhvillimin e vet nga rrethanat historike, duke pasur fatin e një kombi të vogël, afër fqinjëve e civilizimeve të mëdha të etur për toka, sundim dhe lavdi. Qëndresa jonë, për të rezistuar, njëkohësisht për të arritur rezultate, na solli po ashtu lavdi. Lavdinë e paguam me varreza masive, plagë e djersë.

Epoka e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, ishte shënjuesja dominante e drejtimit tonë, ishte koha kur populli ynë mori drejtimin e rrugën e kombeve e popujve evropianë, falë trashëgimisë së jashtëzakonshme historike, si trashëgimtar të ilirëve, përkatësi kontinentale me dalje në dy dete, kompaktësi etnike, gjuhësore e traditë mijëravjeçare.

Epoka e Pavarësisë së Shqipërisë, shënon trupëzimin e një lëvizje të jashtëzakonshme të Rilindjes kombëtare, e cila me kufij të përcaktuar nga superfuqitë, megjithatë, ngriti flamurin në Vlorë për Shqipërinë si shtet i pavarur e sovran sado i prerë me gërshërë padrejtësisht dhe i kufizuar nga të gjitha anët me shqiptarë.

Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është epoka që po e jetojmë, në shekullin e ri, me shtetin e pavarur e sovran, Republikën e Kosovës, të ngritur me përkrahjen e Amerikës, shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe shteteve demokratike që njohën shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Historia i dha vend meritor, udhëheqësit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, i cili i priu formacionit më të suksesshëm të armatosur të shekullit 20-të. Kjo epokë e UÇK-së filloi me Komandantin legjendar Adem Jasharin, duke u bërë simbol i lirisë, përtej kufijve nacional që nxiti aleancën më të fuqishme ushtarake, NATO-n të bëhej aleat yni.

Burrështetasit mendojnë për gjeneratat e politikanët për zgjedhjet që i presin, ky përcaktim i ka dhënë drejtim dhe shpirt UÇK-së. Kjo e cilëson udhëheqjen që e drejtoi luftën, çlirimin, shtetformiminn deri në pavarësi dhe shtetndërtim. Si burrështetas, të cilët i gatoi historia dhe vuajtja shekullore për liri, ata morën vendime për gjenerata.

Vendim për gjenerata i burrështetasve të Kosovës në historinë tonë të re, ishte vendimi për demonstratat e para në vendet e bllokut të lindjes, rezistenca paqësore, themelimi i UÇK-së dhe lufta e armatosur, aleanca me Amerikën, NATO-n dhe shtetet e Bashkimit Evropian, transformimi i UÇK-së në FSK-së dhe në Ushtri të Kosovës, Kushtetuta, marrëveshjet me interes strategjik dhe ligjet në pajtim me vlerat euro-atlantike.

Burrështetasit e shohin interesin e gjeneratave. Vendimi për krijimin e Dhomave të Specializuara, ishte i tillë për të hequr hipotekat ogurzeza të Këshillit të Evropës, me shtytjen e fuqishme të aleatëve (Amerikës në rend të parë), për të sakrifikuar zgjedhjet në favor të interesit të gjeneratave, doli të ishte rruga e vetme.

Gjyqi i filluar këto ditë në Hagë, shënon etapën e re për Kosovën dhe kombin tonë, ashtu siç do të ketë ndryshim të gjeopolitikës me rastin e humbjes së Rusisë në luftë me Ukrainën.

Burrështetas janë edhe heronjtë tanë të luftës dhe paqes që sot përballen me akuzat që do të marrin epilog pozitiv nëse bëhet gjykim i drejtë, të cilin mezi e presim të ndodh. Kosova ka nevojë për Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhepin dhe të tjerët. Ne ishim viktima, jo agresori, këtë, përfundimisht duhet ta dinë edhe ligavecët dhe sabotatorët që nuk ua mbajti t’i dalin përball armikut kur ishte koha. Të tillët, për fat të keq, nuk paguajnë çmim për ligësitë e veta as për dje, as për sot.

Heshtja do të ishte veprimi më i mirë i atdhetarëve të vonuar, aq më pak kanë të drejtë të vlerësojnë burrështetasit në kontekstin kohor, të cilët sakrifikuan rehatinë e vet, familjet e veta deri në vetëmohim. Të tillët janë shumë, ata i njohim mirë dhe kemi kujtime të freskëta, i njeh edhe historia, në veçanti ata të epokës së UÇK-së që edhe sot janë dalëzotës të Kosovës në Hagë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë