Ramiz Lladrovci: Drejtësi për çlirimtarët

Opinion

Sot ishte ditë e rëndë, e gjatë dhe plotë lajme. Fillimit të gjykimit të heronjve tanë të luftës dhe paqes, i parapriu tubimi i bashkatdhetarëve tanë, nga e gjithë Evropa, të cilët u takuan para dyerve të Gjykatës, për të shprehur solidaritetin e tyre me Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhepin dhe të tjerët.

Solidariteti me liderët tanë, është detyrë elementare në këtë kohë kur mesazhet lehtë e marrin dheun. Dje, po, ishte marshi më i madh në Republikën e Kosovës. Më i madhi në historinë e kohës së re ishte edhe motivi, marshimi për drejtësi. Këtë ma ndjente zemra, sepse, çdo qytetari atdhetar në Kosovë apo kudo qoftë, e prek dhe i dhemb kur ngjan padrejtësia.

Gjyqi i filluar, ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes, është gjyq që ta kujton malin e akuzave të një regjimi të perënduar një herë e përgjithmonë, kur, burgosnin me dhjetëra atdhetarë brenda një akuze, duke mos u njohur ata me njëri tjetrin, por, përfaqësuesit e akuzës mbroheshin me arsyetimin se kishin “qëllim të përbashkët”.

Qëllimi i përbashkët i heronjve tanë të luftës dhe paqes, ishte çlirimi nga okupimi, ishte liria për të gjithë pa dallim, ishte krijimi i një shteti ku nuk do të ketë as diskriminim, as aparteid, as pabarazi të shkaktuar nga hegjemonia serbe. Isha thellë i prekur nga përngjasimet kur dënoheshin shqiptarët me vite për fjalët e një dëshmitari të pabesë.

Sot, isha i tronditur kur çlirimtarët cilësoheshin me fjalë joadekuate, fjalor jomeritor, të papërshtatshëm e të padenjë për idealet e tyre, për jetën e veprën e tyre. Besoj fort në pafajësinë e tyre, besoj në luftën tonë të zhvilluar në pajtim me normat ndërkombëtare, besoj fort në drejtësi që përfundimisht akuzat e sajuara nga ata që na vranë, na dogjën e na i përvëluan zemrat, do të hidhen poshtë.

Drejtësi për çlirimtarët është kërkesë e çdo atdhetari dhe çdo qytetari që Kosovën e do në gjirin e shteteve me vlera euro-atlantike.

https://instagram.com/p/CqldgGftIcS/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë