Rast i trishtë: E mitura dyshohet se u dhunua fizikisht dhe seksualisht nga personi me të cilin bashkëjetonte

Dhuna në familje është një fenomen mjaft shqetësues dhe viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht nga burrat dhe për pasojë kërkojnë mbrojtje institucionale. Rastet e tilla shumë shpesh nuk raportohen, sidomos kur viktima janë miturat. Jo rrallëherë ka ndodhur që ato janë detyruar edhe të kryejnë marrëdhënie seksuale, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e një çifti në fshatin Balincë të Vushtrrisë, të cilët bashkëjetojnë që një kohë. Viktima, e cila është e moshës 17-vjeçare dyshohet se ka përjetuar dhunë fizike e psikike nga partneri i saj 22-vjeçar, A.I.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se si rezultat i denoncimit është zbuluar se përveç që është sulmuar fizikisht, e mitura dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin gjatë kohës sa kanë qëndruar së bashku.

Sinjali mëson se viktima fillimisht e ka raportuar në Polici të dashurin e saj për dhunën që ia ka shkaktuar tash e një kohë, si dhe ka kërkuar ndihmë.

Pas raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat për të cilat po ngarkohet, kurse vajza është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Dhunim” dhe “Dhunë në familje”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë