Ramiz Lladrovci: Vota për Nik Gjeloshajn, është votë për Malësinë, për krenarinë tonë

Opinion

Zgjedhjet janë dita kur matet puna e profili i kandidatit për kryetar, 5 Marsi, për komunën e Tuzit, është ditë kur matet miku im, Nik Gjeloshaj, me kontributin e tij gjatë një mandati. Jo vetëm kaq, vihet në peshore jeta e tij e deritashme si atdhetar e kontribuues për çështjen shqiptare, si zëvendës ministër e si deputet, kudo është paraqitur, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës.

Është dita e vendosjes për vazhdimin e rregullit, disiplinës, zhvillimit dhe përparimit të komunës së vetme që përfshin Malësinë, në krye të së cilës, për katër vjet, z. Gjeloshaj e udhëhoqi me dinjitet, me modesti dhe shumë përkushtim. Ashtu siç di një njeri fisnik e atdhetar që vihet në shërbim të qytetarëve të vendlindjes së tij e cila ka plagë shpërnguljen e largimin për shkak të perspektivës.

Por, z. Gjeloshaj e ka bërë dallimin për çështjen kapitale për trojet tona etnike. Për herë të parë, brenda një mandati, është shtuar lista e votuesve në komunën e Tuzit, për 600 vota. Për herë të parë, ka stagnim shpërngulja e shqiptarëve. Pse? Tuzi dhe Malësia është bërë vend që ia vlen të ndërtohet jeta, karriera dhe e ardhmja e secilit qytetar, secilit malësor.

Për herë të parë, bëhen investime në shkolla, në shëndetësi, në rrugë, kanalizime, në stadium, në parqe, në trashëgiminë tonë historike, në ekonomi me vende të reja të punës. Me Nik Gjeloshajn në krye të komunës, Tuzi do të përjetojë ndryshime edhe më të mëdha, sepse, në krye të komunës, është një atdhetar që ruan traditën, nderin dhe perspektivën për malësorët. Mandati i parë i një kryetari komune, është mandat i votës, i dyti i realizimit të premtimeve dhe zotimeve për ndryshime edhe më të mëdha.

Vetëm ata që kanë përvojë me qeverisjen lokale i dinë vështirësitë që e ndjekin një projekt, duke çmuar vazhdimisht prioritetet e qytetarëve. Miku im, Nik Gjeloshaj, gjatë një mandati, ka shkëlqyer, si asnjë herë më parë, Tuzi hyn jo vetëm si kryetar, por edhe si përfaqësues i denjë i shqiptarëve, si ambasador i vërtetë i interesit të shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo u dëshmua edhe me ftesën që e pati si i pari shqiptar që ftohet nga Kongresi Amerikan në Mëngjesin e Lutjeve.

Prandaj, ftoj qytetarët e Malësisë të Komunës së Tuzit, me të drejtë vote, kudo gjenden, të mos lejojnë të ndalet zhvillimi, të mos lejojnë të ndërpritet qeverisja e shkëlqyer e kryetarit aktual Nik Gjeloshaj.

Ftoj atdhetarët e komunës së Tuzit, në vend dhe diasporë, në veçanti kontribuuesit e luftërave tona çlirimtare në Amerikë, përkrahësit e fondeve në mbështetje të UÇK-së, veteranët e invalidët e UÇK-së, të mos kursejnë asgjë, për këtë ditë të madhe, për ta përkrahur Nik Gjeloshajn, për fitoren e 5 Marsit.

Rruga jetësore, nderi dhe atdhetarizmi i Nik Gjeloshajt me bashkimin e shqiptarëve në “Forumin Shqiptar”, në kutitë e votimit me numrin 5, do të jetë garanci e jetës së shqiptarëve, me mirëqenie, barazi dhe perspektivë për të gjithë qytetarët e komunës emblematike, Tuzit e Malësisë, krenarisë tonë!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë