Rrahja mes dy grupeve te rruga B: Përleshja nisi pas seancës gjyqësore, dy persona përfundojnë në pranga

Konfliktet verbale mes pjesëmarrësve në trafik nuk janë të rralla në vendin tonë dhe shpesh përcillen edhe me incidente e madje ka raste kur edhe eskalojnë në rrahje. Mosmarrëveshjet e mëhershme e shkeljet në komunikacion janë motivet më të shpeshta të rasteve të tilla, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur të hënën në rrugën B në Prishtinë, ku pati një përleshje mes dy grupeve, për shkak të një zënke që kishin pasur gjatë ditës së djeshme në Pallatin e Drejtësisë.
Sinjali mëson se dy të dyshuarit, të cilët fillimisht u kapën pas një seance gjyqësore, kanë vazhduar provokimet edhe kur janë takuar në rrugë, duke shkaktuar kështu edhe aksident. Për të mos mbaruar me kaq, pas aksidentit, të njëjtit janë përleshur.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë A.B., dhe M.S., që kanë pësuar edhe lëndime trupore për shkak të dhunës së përdorur ndaj njëri-tjetrit. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.