Kërcënoi me jetë punëtorin që ia montoi xhamat në shtëpi, bie në pranga 29-vjeçari në Komoran

Pakënaqësitë me të cilat përballen pronarët që ndërtojnë apo rinovojnë shtëpitë e tyre, bëjnë shpesh herë që ata të dalin nga kontrolli dhe për shkak të veprimeve të tyre mund të përfundojnë në telashe me ligjin. Kështu ka vepruar një burrë në Komoran të Drenasit i cili dyshohet se ka kërcënuar me jetë një person që shkoi t’ia montojë xhamat në shtëpi.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak se punëtori që ishte paguar për vendosjen e xhamave, gjatë montimit ka dëmtuar një xham, duke e krisur atë.
Si rrjedhojë, i dyshuari është revoltuar dhe i ka kërkuar që menjëherë ta ndërrojë por që më pas e ka telefonuar dhe dyshohet se e ka kërcënuar me vrasje.
Si rezultat i denoncimit të rastit në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 29-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.