Arrestohet arsimtari në Dragash, dyshohet se e rrahu nxënësin 15-vjeçar

Mësimdhënësit në shkollat fillore e të mesme në vendin tonë shumë shpesh futen në telashe me ligjin, për shkak të veprimeve të tyre që i tejkalojnë autorizimet që i kanë sipas detyrës zyrtare. Në të tilla raste viktima janë nxënësit e mitur, prindërit e të cilëve i denoncojnë  mësimdhënësit e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për një rast të tillë kanë nisur hetimet ndaj një arsimtari në shkollën fillore “Sezai Surroi” në fshatin Bellobrad të Dragashit, i cili  është denoncuar nga një nxënës 15-vjeçar.

Sinjali mëson se mësimdhënësi F.T., po dyshohet se e ka keqtrajtuar nxënësin, ndaj të cilit ka ushtruar dhunë fizike gjatë ditës së djeshme. Rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur arsimtari ishte kujdestar dite në këtë shkollë.

Si rezultat i denoncimit, arsimtari i dyshuar është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Ndryshe, kjo vepër është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ”Kur vepra penale kryhet ndaj fëmijës, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë