Roli i ideologut Fehmi Lladrovci në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Shkruan: Lulzim NIKA

Sot kujtojmë heroizmin e ideologut të UÇK së, Fehmi Lladrovci, kur pakkush besonte në lirinë e Kosovës, në fakt, fal idealistëve si Fehmiu, ideja e lirisë nuk u shua, përkundër brutalitetit të pushtuesit serb.
Fehmi Lladrovci pa dyshim është një nga figurat më të shquara në luftën për çlirimin e Kosovës e në funksion të këtij ideali, ai nuk kurseu intelektin, mundin, pasurinë dhe as jetën.
Me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë, që ranë për të mos vdekur kurrë, gjatë shtatorit të përgjakshëm të vitit 1998.
Erdhi, edhe një Përvjetor i heronjve të pavdekshëm Fehmi e Xhevë Lladrovci!
Flijimi i tyre dhe luftëtarëve tjerë u bënë gur themel i Shtetit të Kosovës.
Porosia e tyre dhe flijimi i tyre është përherë frymëzim për ne!

Me pietet të lartë, kujtojmë në këtë Shtator, 24 vjetorin e rënies heroike, përkujtojmë ideologun dhe strategun e UÇK-së, Fehmi Lladrovci.

Roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i tij në organizimin e luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konfirmohet qartë nga një mori dokumentesh dhe raportet e shërbimeve perëndimore: evropiane dhe amerikane, që dëshmojnë rolin e veçantë, në organizimin e luftës se armatosur, që pati Fehmiu.
Që në vitin 1980, në bisedimet me shokët e lëvizjeve kombëtare për lirinë e Kosovës, Fehmiu kishte proklamuar organizimin ushtarak, si të vetmen rrugë për të ardhur te liria e Kosovës.
Fehmi Lladrovci iu bashkua lëvizjes, duke përhapur idenë e luftës se armatosur për çlirimin e Kosovës, me ç’rast kishte gjetur përkrahje në mesin e shumë shokëve e idealistëve.
Nuk ishte zgjedhur rastësisht njeriu i parë i ngarkuar nga Lëvizja për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës qysh në pranverën e vitit 1984. Ëndrra e heroit do të bëhet realitet me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për organizimin e së cilës kishte punuar më shumë se një dekadë para shfaqjes së këtij organizimi të lavdishëm në historinë tonë, pra ai punoi edhe në përkrahjen e luftës për liri, duke dëshmuar se Kosova ishte marrë me forcë dhe vetëm me forcë, trojet etnike shqiptare, do të mund të çlirohen nga pushtuesi serb.
Nga ditari im, të cilin e kam mbajtur që nga fillimi deri në fund të luftës në Drenicë, po paraqes tri momente që e bëjnë të veçantë heroin Fehmi Lladrovci:
1. Ardhja e tij në Kosovë i dha frymë të re luftës për liri, ai ishte projektuesi i vijave të frontit, përkatësisht përcaktimit të pikave strategjike në terren dhe istikameve të para për ushtarët e UÇK-së, në mbrojtje te popullsisë civile, që rrezikoheshin nga forcat kriminale serbe. Drenica dhe Kosova u ndien më të sigurtë nga përvoja e tij që kishte në luftën kundër forcave serbe ne Kroaci.
2. Në ditarin im kam shënuar edhe një pjesë të fjalës së tij para ushtarëve në Gllanasellë, në të cilën, Fehmiu thekson se duhet te lihen anash të gjitha dallimet dhe së bashku të jemi në shërbim të luftës sonë për liri, bashkimi na bën më të fortë në këto orë të historisë sonë për liri.
3. Ishte njeriu me vizionar që kisha takuar gjatë gjithë kohës së luftës. I kushtonte një rëndësi të veçantë mikpritjes së fotoreporterëve dhe gazetarëve të huaj, duke kuptuar mirë sa e rëndësishme është e vërteta për luftën tonë për liri. Këtë dëshmojnë dy persona, H.M, N.B. dhe I.B, me të cilët ishte takuar gjatë luftës dhe kishin perkrahjen e veçantë të Fehmiut dhe shumë gazetarë të tjerë të huaj të mediave me ndikim ndërkombëtar.

Roli i Fehmiut është i rëndësishëm edhe në shumë fusha të tjera jetike për lirinë e Kosovës dhe do të na duhen dokumentarë e libra të tërë për të dhënë të plotë portretin e tij historik, por këtu veçova vetëm disa aspekte të punës, angazhimit dhe personalitetit të tij që ndryshuan rrjedhën e historisë sonë kombëtare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë