Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Shkruan: Lulzim NIKA

Sot, kujtojmë me nderim, heroizmin e Bedri Shalës dhe Bekim Berishës, në 24 vjetorin e rënies për lirinë e Kosovës.

Kur rrezja e lirisë ndriçoi nga pushka e shenjtë e familjes emblematike për historinë e re kombëtare të Jasharajve legjendarë, Bedriu dhe Bekimi së bashku me disa veprimtarë tjerë, në vitin 1998, nga mërgimi kthehet në Kosovë.

Duke kaluar Alpet shqiptare të armatosur dhe me vullnet të fortë hynë në zonën operative të Dukagjinit. Pas betejës së 24 marsit të Gllogjanit. Bedriu kaloi disa herë kufirin për të sjellë armatim në Kosovë. Me 10 gusht 1998 me bashkëluftëtarin e tij dhe me shokun e pandashëm, Bekim Berishën (Abeja), ndërmarrin aksionin luftarak kundër forcave serbe në Junik, ku bie heroikisht.

Rënia heroike dhe guximi i Bedriut dhe Bekimit u bënë motiv shtesë për luftëtarët e pa thyeshëm të UÇK-së deri në fitoren e lirisë.

Bekim Berisha dhe Bedri Shala, 24 vite më parë, së bashku me ushtarët trima, Përmet Vula, Elton Zherka dhe Bashkim Leku, ranë në Betejën e Junikut.

Heroizmi i tyre u shndërrua në frymëzim për qindra djem e vajza të Kosovës që iu bashkuan radhëve të UÇK-së në misionin e shenjtë për çlirimin e atdheut.

I përjetshëm do të jetë kujtimi i tyre, ashtu siç do të jetë edhe liria e Kosovës për të cilën ata ranë.

Lavdi heronjve të Kosovës Bekim Berisha e Bedri Shala!
LN

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë