Kosova e lirë të mbetet borxh, Adem Demaçi

Shkruan: Lulzim Nika

(Në kujtim të Adem Demaçit, simboli i lirisë së Kosovës)

Partitë politike, një pjesë e tyre, pa një strukturë të mirëfilltë kombëtare, duke u sunduar nga njerëz të fuqishëm e që nuk ishin në shërbim të Kosovës, por në sundimin e lirisë se saj, nuk denjuan, nuk deshën a nuk patën guxim, një Zot e di, që ta propozonin e lëre më ta zgjidhnin president të Kosovës, simbolin tonë të rezistencës, Adem Demaçin.

Liria i verboi dhe për më keq i bëri të harrojnë edhe të kaluarën, duke vrapuar pas përfitimeve personale dhe duke krijuar rrethe servilësh, që iu thurnin lëvdata se ju jeni vetë historia e Kosovës.

President u zgjodh askushi e gjithkushi, por jo veprimtari më i pathyeshëm i lirisë së Kosovës. Shumica e krerëve te partive politike nuk e kishin përjetuar as edhe një ditë burg të pushtuesit serb, por kjo nuk ishte arsyeja se pse nuk e donin Adem Demaçin president, ju pengonte qëndrueshmëria e bindjeve të tij dhe e idealit të tij, për Kosovën sovrane!
Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria politike e Adem Demaçit, ishte farkuar me kohë dhe e gjejmë të ndërlidhur me idealin e shqiptarizmës, që qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur udhëheqësit e Organizatës Nacionale Demokratikë Shqiptare, filluan aktivitetin politik për liri e Kosovës, u vranë, u ekzekutuan, e u burgosën dhe u ndoqën nga Kosova, shumë anëtarë të saj do të vazhdojnë aktivitetin politik e patriotik në organizata të tjera. Edhe pse parimet politike, strategjike dhe organizative të ONDSH-së nuk do të kenë ndikim të madh në organizatat e mëvonshme ilegale në Kosovë, megjithatë idetë dhe qëllimet politike do të mbesin të njëjta; çlirimi i tokave të robëruara shqiptare dhe bashkimi i tyre në një shtet shqiptar.

Baza e riorganizimit të veprimtarisë ilegale në Kosovë ishin vendosur në vitet 1956-1963. Në këtë periudhë veprojnë dy udhëheqësit më të shquar të lëvizjes ilegale në Kosovë, Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi. Që të dy, pavarësisht nga trysnitë ideologjike, aktivitetin e lëvizjes kombëtare ilegale e mbështesin në platformën kombëtare, duke krijuar një strategji të re për një luftë a rezistencë më afatgjate të popullit shqiptar të robëruar, duke mbajtur gjallë idenë e lirisë, gatishmëria e flijimit për të dhe besimin e pathyeshëm në çlirimin e pjesës së ndarë të popullit shqiptar.

Kështu, Adem Demaçi, u shndërrua në simbol, në shpirt dhe në shpresë të lëvizjeve ilegale. Përkundër dhunës dhe burgosjeve ndaj anëtarëve të lëvizjeve ilegale e patriotike të kohës, veprimtaria e tyre ishte e pandalshme drejt lirisë.

Askujt më mirë se sa Adem Demaçit dhe veprimtarisë së tij, nuk i rri, ky përshkrim i Presidentit Regan, që në nderim të Ditës s Përkujtimit të ushtarëve të rënë amerikanë, më 1988, tha: “Për të mbajtur besimin me të vdekurit tanë të shenjtë, le të jemi të sigurt dhe shumë të sigurt, sot dhe çdo ditë të jetës sonë, se ne e ruajmë kauzën e tyre, shpresën e tyre, lutjen e tyre, përgjithmonë të vendit tonë.”

LAVDI VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë