Nderim për atdhetarin Gani Sylaj, për veprën madhështore të lirisë së Kosovës

Shkruan: Lulzim NIKA

Pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze nuk i realizoi aspiratat e veta, por dhe shqiptarët nuk i ndaluan asnjë herë përpjekjet e tyre për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Sot, me rastin e tre vjetorit të vdekjes së Gani Sylës, përkujtojmë një veprimtar të madh të çështjes atdhetare që tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës. Ai veproi në kohët më të vështira, kur zëri i atdheut thërriste për liri, si detyrë e secilit shqiptar që duhej t’i parashtronte vetit pyetjen se çka mundet me dhënë që atij zëri t’i përgjigjej në kohë të duhur duke dhënë gjithçka për liri.

Nuk është lehtë që punën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare ta përshkruash me një shkrim të shkurtër, por po nis nga brezi që mori mbi supet e veta misionin e lirisë, që nuk i thyen as vrasjet e as persekutimet e pushtuesit serb.

Brezi i Rexhepi Malës, Nuhi Berishës, Fehmi Lladrovcit, Kadri Zekes, Jusuf Gërvallës e shumë tjerëve, është brezi që pasoi atë të Adem Demaçit, Mehmet Hajrizit, Gani Sylës e shumë atdhetarëve tjerë, është brez i intelektualëve me vlera të mëdha atdhetare.

Ky brez, ky spikat Gani Syla, mbajti idealin e lirisë së Kosovës kur pak kush e besonte që nga grupet që përfaqësoniin organizata të ndryshme, të vogla, por të përkushtuara për atdhetarizëm, të shpërndara gjithandej Kosovës, do të arrinin lirinë e Kosovës.

Në përpjekjet e vazhdueshme për çlirim, vitet ’70-ta të shek. XX–të, shënuan një kthesë të madhe në intensifikimin e luftës ilegale për çlirimin e Kosovës.

Gani Sylaj, ishte strumbullar i lëvizjes ilegale në Kosovë gjatë viteve ’70-ta e deri në çlirimin përfundimtar të atdheut tonë.

Gani Sylaj, veprimtar i palodhshmëm i çështjes kombëtare, arriti të organizojë, të zgjerojë aktivitetet për çlirimin e Kosovës, si dhe të frymëzojë të rinjtë me idealin kombëtar, që më vonë ta marrin barrën e përgjegjësisë historike për çlirimin e Kosovës.

Disa nga studiuesit shqiptarë andej e këndej kufirit, që shkruan për vitet ’70-ta për Kosovën, fatkeqësisht, shkrimet e tyre i bazonin vetëm në burimet zyrtare jugosllave, të cilat burime ishin falso duke u bazuar në politikën ditor serbe, andaj këto burime nuk shfaqnin të vërtetën dhe realitetin politik të Kosovës, kështu u anashkaluar edhe roli i lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës, që luajtën një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Pra, në historiografinë shqiptare të viteve ’70-ta në Kosovë, nuk janë paraqitur drejt këto ngjarje as historikisht, as shkencërisht, e për më keq duke i dhëne shpesh publikut një pasqyrim të shtrembëruar të zhvillimeve politike të kësaj periudhe.

Librat e Gani Sylës, veçanërisht libri ’’Ilegali i viteve shtatëdhjetë’’ është burim dhe referencë e rëndësishme historike për lëvizjen ilegale politike në Kosovë, pra është dokumentim i patejkalueshëm në shkrimin dhe analizën historike shqiptare, andaj këtë literaturë të Gani Sylës duhet konsultuar vazhdimisht, nëse duam të kemi një tablo më të plotë të zhvillimit politik të Kosovës.

Andaj, vepra e Gani Sylajt para se gjithash është vlerë akademike dhe shkencore, e cila duhet të jetë burim historik e shkencor për të gjithë hulumtuesit dhe studiuesit e kësaj periudhe.

Sot shënojmë tre vjetorin e vdekjes së atdhetarit, veprimtarit dhe të burgosurit politik Gani Sylës, duke ritheksuar se jeta dhe vepra e tij, është e paharrueshme. Ai do të kujtohet ndër breza.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë