Feronikeli, storie suksesi i Drenasit dhe Kosovës është në krizë financiare

Klubi Feronikeli i dyti në Kosovë me më se shumti trofe në këto 10 vitet e fundit, është në krizë financiare.

Është klubi që arriti të përfaqësoj Drenasin jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë vendit në garat më të mëdha të futbollit, sikurse ajo e Ligës së Kampionëve dhe ajo e Europa Ligës.

Sjellim në vëmendje se Feronikeli ishte skuadra që e solli gjigandin evropian, AC Milan të zhvillojë ndeshje miqësore në Kosovë.

Pas shumë sukseseve dhe përfaqësimeve në këto gara të rëndësishme, klubi po përballet me gjendje të vështirë financiare.

Lidhur me këtë, kryetari i komunës Ramiz Lladrovci bashkë me drejtorin e arsimit, Muhamet Gjoka si dhe drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Laureta Thaqi, sot zhvilluan takim të përbashkët me bizneset vendore, kryesinë e klubit dhe disa sportistë, ku u diskutua gjendja e rëndë e klubit.

Në këtë takim u propozua që të bëhet edhe një takim me të gjitha bizneset që dëshirojnë të ndihmojnë klubin, që njihet si një nga klubet më të suksesshme në historinë e futbollit të Kosovës.

Ftohen të gjitha bizneset e Drenasit të cilat kanë mundësi dhe shprehin dëshirë të ndihmojnë, te enjten në ora 15:00, në sallën e Kuvendit Komunal në Drenas për takim të përbashkët.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar që Feronikeli në këto vitet e fundit ka qenë klubi më i suksesshëm në Kosovë. Të gjithë donatorët e mbështetësit e klubit, që nga themelimi e deri tani në menaxhimin e z.Naser Ramaj.

Si dhe sportistët për kontributin që klubi të arrijë shumë suksese e pjesëmarrje në gara evropiane, duke ftuar donatorët të ndihmojnë për tejkalimin e kësaj gjendje jo të mirë financiare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë