Përkujtojmë atdhetarin, Gani Sylaj!

Shkruan: Arsim Mehmeti

Sot, më 4 korrik u bënë dy vite që kur u nda herët nga jeta pedagogu, ideologu, veprimtari dhe atdhetari i madh të çështjes kombëtare, miku ynë i çmuar dhe i paharruar, Gani Sylaj.

Jeta dhe vepra e meteorit që ndriqoi mendjet dhe zemrat e brezave nxënësish në bankat shkollore, që motivoi kolegëve të punës dhe gjithë ata që takoheshin me mësuesin patriot, Gani Sylaj do të mbahen të freskëta gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Drenicës dhe gjithë Kosovës që ia fali tërë jetën.

Ai që në moshën e hershme të rinisë, ishte i palodhshëm dhe guximtar edhe në veprimtarinë ilegale të atdhetarëve të viteve 70-ta në Kosovë të Lëvizjes Kombëtare për të cilën ishte edhe i burgosur politik nga pushteti ish jugosllav, por me qëndresën e tij motivoi mijëra të rinjë të tjerë ta ndjekin rrugën e lirisë.

Kontributin e tij e vazhdoi edhe pas burgut. Ai u rreshtua me UÇK-në deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ndërsa në liri dha kontribut të madh në ngritjen e institucioneve demokratike të vendit, si dhe shërbeu me përkushtim të lartë në udhëheqjen e Degës së PDK-së dhe kryetar i Komunës së Drenasit.

Pata fatin të jemi bashkëveprimtarë në Komunën e Drenasit. Nga viti 2001, ai ishte kryetar i Degës së PDK-së, ndërsa unë isha kryetar i Degës së RDK-së dhe së bashku edhe me qindra mijëra aktivistë, të vjetër e të rinj e bëmë Drenasin bastion të Partisë.

Nën udhëheqjen e Komunës së Drenasit nga atdhetari Gani Sylaj, unë isha asambleist komunal dhe duke qenë afër tij, jam dëshmitar i përpjekjeve të parreshtura që bëri në ndërtimin e institucioneve për zhvillimin e Drenasit.

Gani Sylaj la pas vetës një familje të mrekullueshme, poashtu la veprat e tij në dorëshkrim të cilat falë familjes e dashamirëve të tij iu botuan së voni dhe gjinden në duart e lexuesëve, që do t’ju shërbejnë brezave të ardhshëm të kombit shqiptar.

Që nga ikja e tij në amshim, Gani Sylaj po na mungon çdo ditë e më shumë, jo vetëm familjes, por mbarë shoqërisë e veçanërisht bashkëpunëtorëve të afërt të tij, çdo moment presim të na shfaqet i buzëqeshur, i urtë i dashur, pedant dhe plot hijeshi…!

Lavdi e përjetshme atdhetarit, Gani Sylaj!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë