23 vite më parë luftëtarët e lirisë në Grykën e Llapushnikut e zgjuan Evropën nga gjumi

Shkruan: Petrit GASHI

Nder Epopetë më të rëndësishme të Republikës sonë dhe të kaluarës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës padyshim së është edhe Epopeja e Grykës së Llapushnikut. 9 Maji shënon datën më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kthesës së madhe historike të mobilizimit të popullit shqiptar në luftën për Çlirim. 23 vite më parë, patriot të shquar të kombit tonë ishin vizionar dhe të vendosur së pa luftën çlirimtare nuk do të këtë Liri atdheu, prandaj i prenë rrugën forcave serbe për të vazhduar drejtë Dukagjinit dhe Kufirit shqiptaro-shqiptar duke dridhur jo vetëm themelet e Jugosllavisë së atëhershme por edhe të Bashkimit Europian që në përvjetorin e 48 të saj i rikujtoj së paqja në Evropë është vetëm më një Kosove të çliruar dhe me shqiptarët në vendin e merituar si faktor kryesor në Ballkan.

Burra viganë si Ymer Alushani ishin pishtarë të ndritur të rezistencës së luftës në Gryken e Llapushnikut dhe ideatorë të mobilizimit të përgjithshëm të popullit për Liri e çlirim. Kjo ngjarje shënon një datë shumë të rëndësishme në zhvillimin dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nga organizimi gueril po kalonte në një organizim më të lartë ushtarak, e gatshme të përballej edhe me beteja frontale dhe me rezistencë ndaj tërë makinerisë ushtarako policore serbe.

Zënia e Grykës së Llapushnikut ishte goditja me e rëndë për Serbinë sepse dëshmonte para botës së populli shqiptar nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është me i vendosur së kurrë për të drejtën e tyre historike e Kombëtare. Kjo ngjarje njëherit ishte edhe fillimi i krijimit të zonave të lira të kontrolluara nga UÇK si në Malishevë dhe Dukagjin, dhe që po mbillnin në zemrën e popullit entuziazmin e çlirimit. Zënia e Grykës së Llapushnikut dhe beteja e lavdishme e saj ofroi mundësi shumë më të mira për komunikim, shtrirje, zhvillim, organizim e furnizim për të gjitha njësitet tjera të UÇK-së. Ishte koha kur masiviteti dhe mobilizimi i UÇK-së arriti kulmin dhe rriti besimin e popullatës në çlirimin përfundimtar të vendit.

Në istikamet e Grykës së Llapushnikut, krisën pushkët edhe të shumë trimave dhe dëshmorëve të kombit si Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Rasim Kiçina, Imer Krasniqi, Ymer Alushani, Ali Zogaj e Shaban Shala, Besim Halilaj dhe shumë luftëtarë të tjera dhe vullnetarë nga Drenica dhe nga zonat tjera të Kosovës.

Llapushniku me rrethinë, dha bijtë dhe bijat me të shtrenjta për çlirimin e vendit në shërbim të atdheut. Gjithashtu, ky Fashat krenar i dha ushtarin më të ri UÇK-së, dëshmorin e kombit Mentor Gashi vetëm 14 vjeç, dhe shumë burra trima të cilët u rreshtuan përkrah Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës e që ishin të madh në numër dhe fisnik në luftën e tyre të shenjt. Sofrat dhe Shtëpitë e fshatit Llapushnik u shndërruan në sofra e çerdhe të UÇK-së dhe në një shtab mobilizues i të gjitha trevave shqiptare. Atje madje frekuentonin me entuziazëm shumë përfaqësues ndërkombëtar duke u bindur se UÇK-ja ishte me e forte se kurrë dhe lufta e tyre për çlirimi ishte me e vendosur së kurrë.

Sot, në një kohë kur vendi po kalon çaste të vështira nga Pandemia Globale, Llapushniku përsëri po dëshmon se është dorë e zgjatur për ndihmë, dhe kontribut i vazhdueshëm për atdheun. Mirëpo, duhet ta theksoj së ngjarje të tilla të rëndësisë historike, është e dhimbshme që tash e sa vite janë harruar për të shpalosur në një ceremoni rasti para fëmijëve tonë, para botes, dhe kombit për të dëshmuar rëndësinë historike të kësaj Lufte. Gryka e Llapushnikut u harrua dhe madje nuk mbështetë vite me radhe dhe një anashkalim i tillë i vetëdijshme flet për dështimin tonë karshi së vërtetës historike të kësaj Beteje.

Epopeja e Grykës së Llapushnikut nuk mund të mbulohet me asgjë, nuk mund të harrohet nga askush sepse ajo tundi themelet e Jugosllavisë dhe i dha një goditje të rend makinerisë së ushtrisë serbe. Epopeja e Grykës së Llapushnikut është triumfi me i madh i mobilizimit popullor në luftën tonë për çlirim, prandaj deshmoret dhe martiret e kësaj grykë janë lulëkuqet e lirisë që e gëzojmë sot. Lavdia e Ymer Alushanit e Mentor Gashit, xhaxhit tim Abedin Gashit me shumë shokë të tjerë nuk mund të mbulohet nga heshtja, sepse ajo do të triumfoje në çdo epoke historike e në çdo betejë qoftë ajo edhe e pas luftës.

Mos të harrojmë dhe të ja përkujtojmë secilin vit secilit politikan, historian, e njerëz të veshur me petkun e politikes se me 9 Maj në Ditën Zyrtare të Evropës, Gryka e Llapushnikut kishte nxënë ballinat e para në gazetat me prestigjiozë evropiane dhe botërore, ishte bërë subjekt i ekraneve televizive në Televizionet me të mëdha të Evropës dhe Botës, pra ishte harruar data zyrtarë e BE-së për ti lënë hapësirë një ngjarje me të madhe historike që i dha dimension tjetër gjithë Evropës, vëmendjes botërore karshi shqiptareve, e veçanërisht ridizajnimit të së ardhmes së Ballkanit në përgjithësi.

Lavdinë e Grykës së Llapushnikut kurrë nuk do ta harrojnë ushtarët trima të UÇK-së, kurrë nuk do ta harrojnë familjet e dëshmorëve të kësaj gryke, kurrë nuk do ta harrojmë ne që hapem dyert tona dhe falem pasuritë tona në shërbim të atdheut, kurrë nuk do ta harrojë bota së sa kthesë të madhe i kishte dhënë UÇK-së, prandaj le ta flasim historinë ashtu si është dhe le ta nderojmë lavdinë e kësaj gryke ashtu si e meriton. Krejt në fund, në përvjetorin e madh të Epopesë së Grykës së Llapushnikut dua të falënderoj edhe gjithë ata që kurrë nuk u dorëzuan në rrugën e drejtë të atdheut, kurrë nuk u zmbrapsen nga patriotizmi i tyre, dhe kurrë nuk pranuan që të devijohej e vërteta e lavdishme e luftës tonë të drejtë.

Në 23 vjetorin e Epopesë së Grykes së Llapushnikut dua ti bëjë thirrje pushtetit lokal dhe atij qendrore që të shpallë zonë të interesit të veçantë këtë grykë dhe të investoj në ngritjen e Lapidarit të përbashkët të dëshmorëve bashkë më një muze në mënyre që gjeneratat që vijnë të kanë ku të orjentohen, dhe 9 Maji, Dita e Epopesë së Grykës së Llapushnikut të mbahej çdo vit ashtu siç e ndjekim traditën shume vite pas luftës. Mos të harrojmë, lapidari i vetëm i dëshmorëve dhe martireve në gryke është ndërtuar me kontribute të bashkëfshatareve, prandaj është e udhës që të kemi investime të tjera në këtë gryke.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!
Përulje të gjithë ushtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Falënderim çdo banori të fshatit Llapushnik për kontributin e dhënë!

(Autori është asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Drenasit)

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë