Së shpejti fillon ndërtimi i stadiumit të ri në qytetin e Skenderajt

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ditës së sotme zhvilloi takim me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MRKS), Vlora Dumoshi si dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Halil Matoshi.

Me rastin e këtij takimi, Ministrja Dumoshi, dha lajmin e mrekullueshëm për sportistët e komunës, ku bëri të ditur se Ministria e Kultures, do të përkrah idenë e Kryetarit Jashari për ndërtimin e një stadiumi të ri për qytetin e Skenderajt, pasi që realizimi i këtij projekti është i domosdoshëm.

Jashari e Dumoshi, gjatë ditës së sotme realizuan vizita tek projekte të rëndësishme të komunës, të cilat janë mbështetur nga kjo ministri.

Por fillimisht Kryetari Jashari si dhe Ministrja Dumoshi, bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku theksuan edhe një herë rolin e pazëvendësueshëm të dëshmorëve për Kosovën në rrugën e saj drejtë shtet formimit.

Me këtë rast Ministrja Dumoshi tha se me anë të kësaj vizite nderohet kontributi i madh i heronjve tanë duke shtuar se çdo ditë po punohet që të jetësohet amaneti i tyre për të dërguar shtetin tonë përpara.

Pas pritjes që i bëri Kryetari Jashari, Dumoshit si dhe kabinetit të saj në zyrën e tij, ata së bashku me Rreze Dulin, Drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Rajonal-Veri, ndanë certifikata për 30 të rijnë të Komunës së Skenderajt, të trajnuar në fushën e ndërmarrësisë, dizajnit grafik dhe zhvillim të ueb faqeve.

Jashari, ka uruar të rinjtë për trajnimet e kaluara me sukses, duke shprehur falënderime ndaj Ministrisë së Kulturës në veçanti ndaj Ministres Dumoshi, për përkrahjen që po ofron për të rinjtë e qytetit të Skenderajt.

“ Bashkëpunimi ka rezultuar të jetë i mrekullueshëm me Ministrin e Kulturës, po shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen, ku së bashku kemi planifikuar edhe realizimin e shumë projekteve të rëndësisë së veçantë”, shtoi tutje Jashari.

Edhe ministrja Dumoshi, ka uruar pjesëmarrësit e trajnimeve, duke shpresuar se me anë të këtyre njohurive ata do të arrijnë që në të ardhmen të hapin edhe bizneset e tyre individuale, ku gjithashtu i`u bëri apel që të përcjellin thirrjet e kësaj ministrie, në mënyrë të mbështeten për idetë e tyre të bizneseve.

Kreu i komunës bashkë me drejtuesen e Ministrisë së Kulturës, vizituan edhe Palestrën Sportive e cila është në ndërtim e sipër si dhe stadiumin “Bajram Aliu”, në Skenderaj.

Jashari bëri të ditur edhe një herë se prej ardhjes së tij në krye të komunës, ai i ka ofruar një përkrahje të madhe sportit, duke bërë kështu përpjekje që të krijohen kushte të përshtatshme për sportistët e komunës​.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë