Kosova e pret sot Slloveninë në kërkim të fitores së parë këtë vit

Kosova do ta kërkojë fitoren e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe po ashtu të parën në vitin 2020, sonte kur të përballet me Slloveninë në Prishtinë, vetëm tri ditë pasi iu shua ëndrra për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Sllovenisë në stadiumin Fadil Vokrri, për ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit 3 në Ligën C, e cila nis në orën 20:45, raporton Gazeta Express.

Forma e skuadrës dardane e ka prekur fundin, veçanërisht pas humbjes 1:0 kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-off’t për kualifikim në Euro 2002 të enjten, pasi është bërë saktësisht një vit që nga fitorja e fundit.

Kosova nuk e nisi më së miri edicionin e ri 2020/21 në Ligën e Kombeve pas promovimit nga Liga D në atë C, sepse u ndal me barazim nga një Moldavi aspak e fortë dhe u mund nga Greqia në Prishtinë muajin e kaluar.

Sllovenia, në anën tjetër, po kalon nëpër formë më të mirë dhe e ndan pozitën e parë me Greqinë në Grupin 3, me një fitore dhe një barazim.

Kosova është e parafundit me vetëm një pikë, aq sa ka edhe Moldavia.

Takimi i sotëm në Fadil Vokrri është i parë mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Kosova do të përballet me sllovenët në momentin më të keq, pasi emocionet nga humbja e mundësisë së artë për ta siguruar pjesëmarrjen në një kampionat evropian mund të mos i jenë larguar.

Dëshpërimi dhe pikëllimi i futbollistëve verdhekaltër ishte tejet i madh të enjten dhe i pa pas përfundimit të takimit dhe në komentet e tyre pas ndeshjes.

Për më tepër, trajneri Bernard Challandes nuk do të mundë të llogarisë në shumë futbollistë as në këtë takim, përfshirë Vedat Muriqin, Milot Rashicë, Amir Rrahmanin, Hekuran Kryreziun, Besar Halimin dhe Idriz Vocën.

Ata munguan kundër Maqedonisë dhe do të mungojnë edhe sot kundër sllovenëve, shkaku i lëndimeve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë