Ambasada gjermane flet rreth zhvillimeve të fundit për dialogun dhe vizat

Gjermania vazhdon të mbetet përkrahësja më e madhe e Kosovës në BE sa i përket liberalizimit të vizave. Ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se qëndrimi gjerman për vizat mbetet i pandryshuar dhe liberalizimin e tyre e mbështesin, megjithatë vendimi për heqjen e tyre mbetet tek vendet anëtare të Këshillit të Bashkimi Evropian, e futja e çështjes së vizave në agjendën e Këshillit nuk dihet ende se kur do të bëhet.

Kryeministri Avdullah Hoti dje ka qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel ku është takuar me përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Theksi i takimeve në PE nga Shefi i qeverisë ka qenë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Hoti ka deklaruar dje se Franca dhe Holanda janë shtetet që ende hezitojnë për të qenë pro heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Kryeministri i Kosovës tha për Euronews Albania se pavarësisht se Komisioni Europian ka vite që e mbështet liberalizimin e vizave dhe se janë vetëm vende si Franca apo Holanda që po pengojnë këtë proces. Hoti u shpreh se po punohet me dy vendet në nivel ministror që të binden se kushtet e imigrimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar janë përmbushur dhe po mbeten të tilla.

Ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Express ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të BE’së në progresin e bërë në dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se momentumi pozitiv i bisedimeve duhet të ruhet në takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në fund të këtij muaji.

“Ne parimisht i përshëndesim të gjitha kontributet për përmirësimin e raporteve dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në veçanti i mbështesim përpjekjet për ndërmjetësim të të Dërguarit të Posaçëm të BE-së, Lajcak. Rishtazi lidhur me këtë ka pasur biseda në mes të ekspertëve dhe takime të Presidentit Vucic dhe Kryeministrit Hoti me Përfaqësuesin  Lartë Borell dhe me të Dërguarin e Posaçëm Laicak në Bruksel.  Ka pasur lajme inkurajuese për progresin e arritur në bisedimet e udhëhequra nga BE në Bruksel. Tani është tejet e rëndësishme që të ruhet momentumi pozitiv për takimet e ardhshme në nivel ekspertësh dhe të nivelit të lartë nga fundi i këtij muaji në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Kurse sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, qëndrimi i Gjermanisë mbetet i pandryshuar dhe shteti më i fuqishëm në BE e mbështet lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen.

“Qëndrimi gjerman sa i përket liberalizimit të vizave mbetet i pandryshuar: Ne e mbështesim liberalizimin e vizave në bazë të përmbushjes së kritereve të vendosura. Vendimi për liberalizimin e vizave është brenda detyrave të shteteve anëtare të Këshillit të Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në përgjigje.

Gjermania nga 1 korriku udhëheqë me Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, institucioni kryesor që vendosë për çështjen e liberalizimit të vizave.

Në presidencën gjashtë mujore ka pritje të mëdha që Gjermania të shtyjë përpara në agjendë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën./GazetaExpress/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë