Kosova përjetë do t’i kujtojë Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

Shkruan: Lulzim NIKA

Sot kujtojmë dy kolosët e lirisë, Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, biografitë e të cilëve janë edhe një pjesë e çmuar e historisë sonë.

Drenasi e Drenica është dëshmuar historikisht si pjesë më e pashkëputur e luftës sonë për liri, është gjeneza e secilës përpjekje atdhetare, në secilën etapë historike, në secilën gjeneratë, që kulmoi me këtë të fundit, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Rasimi e Ragipi, ishin ndër figurat më emblematike të saj.

Të gjithë rrjedhën historike të kombit tonë, mund ta rrumbullakësojmë ndërmjet dy ngjarjeve kryesore. E para është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që hartoi programin e parë kombëtar të Shqipërisë Etnike dhe e dyta është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me lirë tonë; pra, ja ku është heroizmi i Rasimit, Ragipit, ja ku është heroizmi i të gjithë burrave dhe grave që bënë aq sa mundën dhe dhanë krejt çka patën, që ne sot të jetojmë në Kosovën e lirë.

Historia jonë e re, sot shënon një nga ngjarjet më të rënda të saj. Sot, janë mbushur njëzet e një vjet nga rënia heroike e dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.
Heroi Rasim Kiçina zgjodhi rrugën e vështirë dhe të sakrificës për çlirimin e atdheut tonë të dashur, Kosovës.

Jeta e shkurtër për nga koha, por tepër e gjatë dhe e pasur për nga lavdia është biografia që ka emrin e heroit të Kosovës, Rasim Kiçina, ai ishte ushtar i gjithë gjeografisë shqiptare, duke marrë pjesë në beteja në tërë Kosovën.

Që të dy, Rasimi dhe Ragipi ishin me përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata nuk pranonin kurrë të qëndronin neutralë, të durueshëm, të heshtur, para të këqijave që po ushtroheshin mbi qytetarët e Kosovës.

Rasim Kiçina bashkë me Ragip Halilajn më 30 Maj 1999, 10 ditë para çlirimit të Kosovës, pra në agun e lirisë se Kosovës, biejnë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, dhe kjo rënie e këtyre dy kolosëve të historisë tonë, ngjan shumë me legjendën e maratonomakut, që dha jetën, sapo ua kumtoi lajmin e lirisë qytetarëve, pas një lufte të pabarabartë me pushtuesin.

I kemi borxh Rasimit, i kemi borxh secilit të rënë për liri, që Kosovën ta bëjmë siç ata e deshën, siç ata e menduan.

Lavdi Rasim Kiçines e Ragip Halilaj
Lavdi të gjithë te rënve!

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti i kombit për ta!
L.Nika

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë