IPKO Superliga e Kosovës vjen këtë të shtunë me dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të, Drenica-Ferionikeli dhe Vushtrria-Llapi, që do të nisin në orën 14:00.
Vëmendja më e madhe është pa dyshim te derbi i Drenicës, që do të zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu”, aty ku kampionët në fuqi të Kosovës do të jenë mysafirë.
Pavarësisht se të dyja skuadrat renditen në vendin e gjashtë dhe të shtatë (Feronikeli ka 5 pikë më shumë), synimet në këtë sezon i kanë të kundërta. Kampionët duan të konfirmohen si forcë e parë e futbollit kosovar, por kriza e rezultateve në javët e fundit ka ndikuar shumë në renditje, duke krijuar një hendek prej 5 pikësh me Gjilanin kryesues.
Nga ana tjetër, ekipi nga Skënderaj, shpreson të ketë vazhdimësi rezultatesh pozitivesh, për t’iu larguar sa më shumë zonës së barazhit.