Arsimi në Kosovë?!!!

Shkruan: Jakup Krasniqi

Debati i mbrëmshëm për Arsimin me bëri që t’i them pak fjalë.

Çka është bërë deri më tani në Arsimin e Kosovës?

Qasja që partitë politike kanë pasur deri më tani ndaj arsimit, ka qenë e është tregues se gjatë gjithë këtyre viteve në Qeverinë e Kosovës nuk ka pasur Kryeministër e për fat të keq as Ministër që kanë pasur qellim: Zhvillimin e Arsimit, shtyllës kryesore të zhvillimit e të progresit shoqëror në Kosovë. Vazhdimi me qasjen e deritashme ndaj Arsimit do të thotë, thellim i degradimit të këtij procesi në çdo segment të tij. Serioziteti qeveritar e shoqëror, e sidomos edhe i komunitetit të arsim – edukimit ndaj Arsimit si proces duhet të ndryshoj rrënjësisht.

Derisa shteti nuk udhëhiqet nga njerëz të dinjitetshëm, që kanë dije, integritet e dinjitet të nivelit të lartë, degradimi jo vetëm në arsim, por në çdo segment shoqëror do të thellohet. Me Kryeministra që asnjë fjali e mendim nuk e kanë të konsoliduar, e ministra të trafikuar nga një partiqkë në tjetrën, spiralja në arsim e edukim do të ketë vetëm rënie.

Alarmi në Kosovë po bie dhe jo vetëm për Arsimin!

Problem i yni i madh është kriza e thellë në sistemin e arsimit publik e privat. Me politikat e deritashme shkatërruese (të universiteteve të pa fre publike e private), sidomos në arsimin e lartë, kriza e mjerimi intelektual veç do të thellohet. Tani për tani nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje, ndër më vitalet për kombin dhe shtetin. Për të zgjidhur këtë çështje duhet vullnet politik i nivelit kombëtar. Ky vullnet deri më tani nuk ekziston. Ky sistem i arsimit prodhon pak dije e shumë analfabet potencial. Gjuha shqipe (përmes së cilës fitohen dijet) është në degradim të përgjithshëm si në të folur, ashtu edhe në të shkruar. Vazhdimi në këtë rrugë do të sjellë një rezultat, që do të jetë edhe më i mjerë sesa që është!
Ndërprerja e kësaj praktike të deritashme është më shumë se e domosdoshme. E ripërsëris, për këtë është i domosdoshëm konsensusi nacional, pasi nuk ka çështje më kombëtare sesa arsimi dhe edukimi i kombit, nga i cili varet shumë e ardhmja e kombit dhe e vendit tonë.

Arsimi dhe edukimi nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e një partie politike, por është kryekreje interes kombëtar. Prandaj edhe qasja duhet të jetë vetëm në këtë frymë. Ky sistem, i cili ngjason vetëm me kullat e rërës, nuk mund të prodhojë njerëz të virtytshëm, me dinjitet e me integritet! Prandaj i takon këtij brezi, që ta bëjë gjënë e duhur për shpëtimin e kombit.

(Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nisma’s Socialdemokrate)

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë