Kuvendi miraton nismën e kryetarit Lladrovci, për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Skenderajt

Kuvendi Komunal i Drenasit, të premten ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, ku anëtarët kanë miratuar unanimisht nismën e kryetarit Ramiz Lladrovci, për bashkëpunim ndërkomunal në mes të Komunës së Drenasit dhe asaj të Skenderajt.
Kryetari Lladrovci, para asamblistëve, ka thënë se nisma për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Skenderajt, ka për qëllim të hapë rrugën për të aplikuar në projekte të ndryshme infrastrukturore, të cilat financohen vetëm me miratimin e këtij bashkëpunimi.
“Sot me datë 5 Prill 2019, kemi thirr këtë mbledhje të jashtëzakonshme me të vetmin qëllim, hyrja në bashkëpunim ndër komunal me komunën tonë fqinje, komunën e Skenderajt. Ne gjatë mandatit tim kemi zhvilluar disa projekte me komunën e udhëhequr nga z. Bekim Jashari, projekte të bashkëfinancimit, mirëpo formën e bashkëpunimit të cilën e kemi sjellë për miratim në këtë seancë, ndërlidhet me mundësin e aplikimit për projekte të ndryshe, vetëm në rastet e ekzistimit të bashkëpunimit ndër komunal.
Bashkëpunimi ndër komunal në Republikën e Kosovës është i rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Bashkëpunim Ndër Komunal, Rregulloren për Nxitjen e Bashkëpunimit Ndër Komunal dhe legjislacionin tjetër në fuqi. Kjo Nismë për bashkëpunim ndër komunal me komunën e Skenderajt, na hapë rrugë që të aplikojmë për projekte të ndryshme Infrastrukturore, të cilat projekte financohen vetëm me rastin e miratimit të kësaj Nisme. Pas miratimit të nismës për bashkëpunim ndër komunal, komunat e hyra në bashkëpunim kanë mundësinë që të aplikojnë bashkërisht për projekte të ndryshme më interes të përbashkët. Vlen të theksohet se pas miratimit të kësaj nisme do të aplikohet për projekte infrastrukturore, pastaj do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në mes dy komunave, dhe ajo marrëveshje do të jetë për aprovim prapë në dy kuvendet e komunave të hyra në bashkëpunim. Të nderuar asamblist, kërkoj nga ana juaj që të miratoni nismën time për të hyrë ne bashkëpunim ndër komunal me komunën e Skenderajt, me të vetmin qellim sjellja e investime në komunën tonë përmes formës së bashkëpunimit ashtu siç e parasheh legjislacioni i lartcekur.