Prishtina do të përballët më tri mungesa shumë të rëndësishme kundër Feronikelit në derbin kryesor të Ipko Superligës së Kosovës këtë të mërkurë, i cili është shumë i rëndësishëm në luftën nderrmjet veti që po e bëjnë për titullin e kampionit.
Komisioni disiplinor i garave i FFK-së ka njoftuar se ka hapur procedurë ndaj sulmuesit të Prishtinës Basit Khalid, i cili e goditi me grusht një futbollist të Llapit në humbjen e Prishtinës 1:0 fundjavën e kaluar në Podujevë, raporton Gazeta Express.
Kjo nënkupton se, përveç mbrojtësit kryesor Armend Dallkut dhe mbrojtësit të majtë Abdul Bashiru, Prishtinës do t’i mungojë edhe sulmuesi Khalid në derbin e së mërkurës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dallku dhe Bashiru janë të suspenduar shkaku i kartonëve, me të parin që u ndëshkua direkt me të kuq në derbin e javës së kaluar, ndërsa ndaj Khalidit është hapur procedurë dhe ai nuk ka të drejtë të luajë derisa të merret vendimi për të.
FFK-ja njofton se vendimi do të merret të enjten, pra një ditë pas ndeshjes mes dy kandidatëve kryesorë për titull.
“Basit Khalid, lojtar i klubit të futbollit Prishtina… nuk ka të drejtë loje deri në kompletimin e lëndës – vendimin përfundimtar të komisionit. Kërkohen deklaratat plotësuese nga ; lojtari në pezullim Basit Khalid, treshja e gjyqtarëve dhe vëdelegati i ndeshjes. Afati date 07.03.2019”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Humbja eventuale ndaj Feronikelit, do t’ia zbehte tej mase shpresat Prishtinës për titull në Superligë, duke qenë se Nikli do t’i ikte tetë pikë në krye të tabelës.
Në fakt, skuadra nga kryeqyteti me humbje e rrezikon edhe vendin e dytë, pasi Llapi i qëndron prapa me vetëm dy pikë më pak.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Feronikelit zhvillohet nesër në orën 17:00 në Prishtinë.