​Solskjaer e thyen edhe një tjetër rekord me Man Unitedin

Ole Gunnar Solskjaer e ka thyer edhe një tjetër rekord si trajner i Manchester Unitedit, me fitoren e së mërkurës kundër Crystal Palace, duke u bërë trajneri i parë në histori të klubit që i fiton tetë ndeshje radhazi si mysafir.
Skuadra e “Djajve të kuq” ishte e goditur nga shumë lëndime para kësaj ndeshjeje, pasi që Juan Mata, Jesse Lingard, Nemanja Matic, Ander Herrera, Anthony Martial dhe Antonio Valencia janë ende duke u rikuperuar.

Edhe Marcus Rashfordi besoj se nuk ishte i gatshëm për të luajtur në këtë ndeshje, pasi që kishte pësuar një lëndim kundër Liverpoolit. Për këtë arsye, Solskjaer ia besoi sulmin Romelu Lukakus dhe Alexis Sanchezit .

Përkundër që u përball me shumë lojtarë të lënduar, Solskjaer e arriti qëllimin e tij edhe këtë herë, pasi që Lukaku, i cili ishte sfiduar nga norvegjezi për ta ngritur nivelin e tij të futbollit, i shënoi dy gola, ndërsa fitoren e siguroi Ashley Young me golin e tretë të ndeshjes.

Goli i parë i Lukakus i dha fund ecurisë prej dhjetë ndeshjeve pa shënuar gol. Ai nuk ka qenë në formë shumë të mirë këtë sezon, megjithatë ka performuar më mirë jashtë Old Traffordit, pasi që në ato ndeshje i ka shënuar shtatë nga golat e tij.

Megjithatë, lëvdatat më të mëdha do t’i shkojnë Solskjaerit, i cili e kishte vendosur një rekord në historinë e klub, duke i fituar gjashtë ndeshjet e para si trajner i Manchester Unitedit, gjë që s’e kishte bërë askush më parë.

Solskjaer e ka turpëruar ish-trajnerin e “Djajve të kuq”, Jose Mourinhon, duke e kaluar me numër të fitoreve pas vetëm 12 ndeshjeve si trajner i kësaj skuadre.

Ende nuk dihet nëse Solskjaerit do t’i ofrohet roli i trajnerit edhe pasi të përfundon ky sezon, pasi që norvegjezi është emëruar vetëm si trajner i përkohshëm, deri në maj të këtij viti, pas shkarkimit të Mourinhos.

Në mes të ndeshjeve të radhës në Premierligë, kundër Southamptonit dhe Arsenalit, Manchester Unitedi do ta zhvillojë ndeshjen kthyese kundër Paris Saint-Germainit. “Djajtë e kuq” pësuan disfatën e parë me trajnerin e ri, kundër francezëve, kur u mposhtën me rezultat 2:0 në shtëpi.

Kualifikimi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nuk duket shumë i mundshëm, mirëpo fitorja kundër Arsenalit mund ta kthejë Manchester Unitedin në top katërshe të Premierligës dhe kjo mund të bëjë që Solskjaer ta fitojë pozitën e trajnerit për edhe më gjatë se në fund të këtij sezoni.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë