Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, synon t’i kthehet së shpejti karrierës së tij si trajner, pasi që pretendon se është mësuar të fitojë trofe vazhdimisht, që nga viti 2003.
Strategu portugez ka mbetur pa punë si trajner, që nga dhjetori, kur u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.
Ai i ka drejtuar një numër të klubeve më të mëdha të Evropës gjatë karrierës së tij, përfshirë këtu Chelsean, Real Madridin, Interin, si dhe, së fundi, “Djajtë e kuq”.
“Unë jam i njëjti si gjithmonë, jam mësuar të fitoj çdo vit, që nga 2003-ta. Ky ritëm i fitoreve u ndal vetëm para 18 muajve. Nuk janë bërë ende 18 muaj që kur e kam fituar titullin e Ligës së Evropës me Manchester Unitedin dhe tani dua të kthehem edhe më fuqishëm se më parë”, ka thënë Mourinho.
“Kjo është një periudhë në jetën time kur unë po tregohem i kujdesshëm me atë që po e shoh dhe me atë që e lexoj. Tani, shikoj përreth vetes, studioj dhe televizioni im funksionon mirë. Jam në paqe, por, në të njëjtën kohë, dua t’i kthehem futbollit”.
Mourinho e la Manchester Unitedin në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës dhe plot 11 pikë larg top katërshes së kësaj lige.
56-vjeçari e ka fituar dy herë titullin e Ligës së Kampionëve, me Porton në vitin 2004 dhe Interin në vitin 2010.