​Për shkak të gjendjes shëndetësore, Shaqiri po ndjek program të veçantë stërvitjesh

Xherdan Shaqiri dhe lojtarët e tjerë të Liverpoolit janë në Marbella të Spanjës, ku kanë shkuar që të stërviten në një mot më të mirë, gjatë kohës sa i kanë disa ditë pushim.

Sulmuesi me origjinë kosovare kishte mbetur jashtë skuadrës së Jurgen Kloppit për ndeshjen e fundit të Liverpoolit, kundër Bournemouthit. Klubi bëri të ditur se mungesa e tij erdhi për shkak të dhimbjeve në bark që po i ndiente Shaqiri, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ai u kthye në stërvitje dje. Por, Shaqiri është duke e ndjekur një program të veçantë, në mënyrë që të rikuperohet sa më shpejt.

Për dallim nga Shaqiri, dy lojtarët e tjerë që ishin të lënduar, Dejan Lovren dhe Joe Gomez nuk u ftuan fare nga trajneri Klopp për të udhëtuar me skuadrën në këtë kamp stërvitor.

Pasi që Shaqiri i është kthyer stërvitjeve, ai ka gjasa të jetë i përfshirë në ndeshjen e ardhshme të Liverpoolit, kundër ish-klubit të tij, Bayern Munichut. Kjo ndeshje do të jetë mjaft e rëndësishme për Liverpoolin, pasi që është në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Kloppi u emërua në pozitën e trajnerit të Liverpoolit në vitin 2015. Gjatë kësaj kohe me klubin anglez, trajneri gjerman ka pësuar disfatë në finale të Evropa Ligës dhe të Ligës së Kampionëve.

Tani, Kloppi do të tentojë që të shkojë një hap më tutje në Ligën e Kampionëve dhe ta fitojë medaljen e artë të kësaj gare. Për ta arritur këtë gjë, ai fillimisht duhet ta kalojë sfidën e parë, kundër Bayernit.

Nëse Shaqiri arrin të rikuperohet plotësisht, atëherë Kloppi mund të mbështetet te ndihma e Shaqirit, i cili i ka shënuar gjashtë gola dhe i ka asistuar tri të tjera, gjatë këtij sezoni me Liverpoolin.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë