Lajm i mirë për Bremenin dhe Kosovën, mësohet se kur do të rikthehet Rashica nga lëndimi

Werder Bremeni dhe Kosova mund të jenë të qeta, pasi problemet e Milot Rashicës me shpinë nuk janë serioze dhe kosovari pritet të rikthehet brenda javës.

Anësori i Kosovës Milot Rashica mungoi në barazimin e Bremenit 2-2 me Enitracht Frankfurtin në një ndeshje të vlefshme për javën e 19-të të Bundesligës të shtunën. Skuadra e Florian Kohfeldt nuk mundi të llogarisë në shërbimet e tij të për shkak të probleme të tij me shpinë, shkruan Gazeta Express.

Rashica pritej të ishte titullar në këtë takim, por nuk u gjend as në stol, si pasojë e shqetësimeve që ndiente në shpinë, njoftoi dje vetë klubi i tij. Rashica po shkëlqente në ndeshjet e fundit për klubin gjerman, por nga dita e enjte kishte ndier shqetësime në shpinë, prandaj trajneri Florian Kohfeldt ishte detyruar ta lërë në shtëpi.

Kohfeldt zbuloi se në seancën e fundit stërvitore e kishte pasur të qartë se 22-vjeçari nga Vushtrria kishte dhimbje që ia pamundësonin paraqitjet ndaj Frankfurtit.

Ai megjithatë, ka siguruar se nuk është ndonjë problem i madh dhe se Rashica do të nisë stërvitjet nga fillimi i kësaj jave dhe mund të luajë në ndeshjen e së shtunës ndaj Nurembergut.

“Në seancën e fundit ishte e qartë [problemi me shpinë], prandaj vendosa ta lërë të pushojë pak. Nuk doja ta bëja publike sepse Frankfurti kishte shumë respekt për të dhe nuk është dramë kjo punë, sepse ai do të stërvitë sërish nga fillimi i javës”, tha Kohfeldt.

Ky lajm e gëzon edhe ekipin kombëtar të Kosovës, pasi trajneri Bernard Challandes dëshiron t’i ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për ndeshjen e marsit kundër Bullgarisë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020.

Rashica i ka bërë 11 paraqitje gjatë këtij sezoni në Bundesligë, ku ka arritur t’i shënojë 2 gola dhe ta asistojë një tjetër. Ai kontribuoi edhe në kupën DFB-Pokal me një paraqitje për skuadrën e tij.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë