Mungon dëshmitari, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale në Drenas

Drenas – Ka dështuar të mbahet seanca, e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, pasi që Stacioni Policor nuk ka arritur të sigurojë adresën dhe praninë e dëshmitarit Dardan Geci, në gjykimin ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Rifat Bajraktari.
Në njoftimin e Stacionit Policor “Jugu”, lidhur me urdhëresën e lëshuar nga kjo gjykatë thuhet se ndaj personit, përkatësisht dëshmitarit Dardan Geci, njësia ka bërë verifikimin në databazë ku figurojnë disa numra të telefonit të cilët janë joaktiv.
Po ashtu, thuhet se nuk kanë mundur të lokalizojnë në adresën e dhënë sipas shkresës.
Meqenëse në seancë nuk ka qenë dëshmitari i propozuar nga vet i akuzuari Rifat Bajraktari, ai i ka propozuar që shqyrtimi të shtyhet deri sa te sigurohet prania e tij.
Lidhur me propozimin e të akuzuarit është pajtuar dhe prokurorja Merita Shala –Muhaxhiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shqyrtimi i radhës është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Gjykata për sigurimin e pranisë të dëshmitarit Dardan Geci, vendosi serish të lëshojë urdhëresë për Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, që i njëjti të kërkohet dhe gjykata të njoftohet me adresën e tij dhe pas sigurimit gjykata do te caktojë shqyrtimin gjyqësor dhe do të lëshojë ftesa te rregullta.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 02 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Rifat Bajraktari, sepse më 07 shtator 2017, gjatë kontrollit të realizuar nga zyrtarët e KEDS-it, i pandehuri, me dashje me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë të kundërligjshme, është hasur duke e shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.
Sipas aktakuzës, ashtu që i njëjti përmes një kablloje është kyçur direkt në TS përmes së cilës ka furnizuar me energji elektrike pesë pompa të ujit, të cilat i ka shfrytëzuar për ujitje të serrave dhe pemishtes, me ç ‘rast të dëmtuarës KEDS-së, i ka shkaktuar dëm material në lartësi prej 6.150,43 euro.
Më këtë, akuzohet se ka kryer vepër penale “vjedhja e shërbimeve komunale“ nga neni 320 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi.