25-vjeçari u vetaksidentua me automjetin e punës, Inspektorati nuk po e heton si vdekje në vendin e punës

E premtja ishte dita e fundit e punës për F. B nga Istogu. 25-vjeçari mbeti i vdekur, pasi u vetaksidentua derisa ishte duke e drejtuar automjetin e punës. Në Inspektoratin e Punës thonë se i ndjeri gjatë aksidentit nuk ka qenë duke punuar. Edhe në Polici rasti është raportuar si aksident në komunikacion.
Automjeti i punës të cilin e drejtonte ia mori jetën. F. B nga Istogu u vetaksidentua të premten derisa ishte duke e vozitur automjetin e punës, që bën transportin e dheut e zallit, duke mbetur kështu i vdekur në vend.
Ai u varros të shtunën në varrezat e fshatit Kovragë të Istogut.
E ndonëse u aksidentua me automjetin e punës, në Inspektoratin e Punës thonë se gjatë aksidentit ai nuk ka qenë duke punuar.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka thënë se rasti është raportuar se aksident në komunikacion, dhe jo si vdekje në vendin e punës.
“Ne e kemi marrë informatën nga Policia, dhe se rasti ka qenë aksident në komunikacion, pra nuk ka ndodhë gjatë punës”, ka thënë Ibrahimi për Express.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, i cili ka thënë se shoferi ka mbetur pa shenja jete në vend të ngjarjes.
“Viktima është vetaksidentuar në fshatin e quajtur Istog i Poshtëm në ora 11:30 dhe ka qenë duke drejtuar automjetin e punës. Pra, ka qenë duke vozitur një mjet transportues për bartjen e dheut e zallit i cili ka humbur kontrollin mbi mjetin duke shkaktuar vetëaksident fatal. Viktima është shtetas i Kosovës dhe është i moshës 25-vjeçare”, ka thënë Ibra.
Ibraj ka njoftuar se prokurori dhe njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe se po kryhen hetimet e nevojshme.
“Raportohet se kishte ndodhë vetë aksident në trafik, i përfshirë një automjet të cilin kishte qenë duke e drejtuar viktima mashkull K/Shqiptar. Si pasoj e aksidentit lëndime vdekjeprurëse kishte pësuar vozitësi i cili ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar mjeku kujdestar në qendrën e mjekësisë familjare në Istogut. Në vendin e ngjarjes kanë ndalur njësitë policore dhe prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pa jetë i viktimës ju lirohet familjarëve për ceremoni mortore”, ka njoftuar të shtunën Policia.
Ndryshe, 12 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku vetëm nga 15 nëntori e deri më 19 dhjetor të këtij viti.
Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 1 mijë e 362 aksidente trafiku në tërë rajonin e Kosovës.
Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka shënuar ulje.
Ndërkohë, që vetëm deri në tetor të këtij viti, 18 persona kanë vdekur në vendin e punës në Kosovë, kurse 98 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.