Përfundon ndeshja e fundit e xhiros së 15-të në Superligë, nuk gabon Feronikeli

Feronikeli nuk ka gabuar në takimin ndaj Ferizajt në kuadër të xhiros së 15-të të IPKO Superligës.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, skuadrës vendase i mjaftuan dy golat e shënuar në pjesën e parë.

Feronikeli e nisi mirë këtë ndeshje, ku e gjeti golin e epërsisë pas vetëm 15 minutave me anë të sulmuesit Kastriot Rexha.

Goli i dytë nuk vonoi shumë dhe erdhi në minutën e 34′ të ndeshjes.

Aksionin e bukur të Feronikelit e përmbylli Artur Magani, që nuk gaboi nga afërsia për 2:0.

Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, e që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i këtij takimi, pasi në pjesën e dytë të lojës rrjetat mbetën të paprekura.

Skuadra e Zekirija Ramadanit tani e ka ngushtuar në një pikë epërsinë e Prishtinës në krye të tabelës.

Me 36 pikë Prishtina është në vendin e parë, kurse në vendin e dytë është Feronikeli, me 35 sosh.

Ndërkaq te Ferizaji është thelluar kriza, që kanë vetëm 14 pikë dhe renditen në pozitën e parafundit në tabelë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë