Kosova midis romanticizmit patriotik dhe diplomacisë

Ka ardhur koha që Kosova të ndërtojë politikën e saj diplomatike, duke u ngritur në një stad tjetër të filozofisë së saj qeverisëse, larg çdo tentacioni emocional, që dëmton perspektivën e saj perëndimore.

Dje ishte i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë.

Sigurisht që, biseda u fokusua më së tepërmi në çështjen më të nxehtë të Kosovës, atë të marrëveshjes së mundshme midis saj dhe Serbisë për kufirin. Marrëveshje aq shumë e diskutuar, dhe që ngjalli interesin më të madh në sallë.

Në të gjitha përgjigjet që dha zoti Haradinaj, nuk mund të mos vihej re, kur flitej për kufijtë e Kosovës, një lloj diskursi romantik patriotik i tij, nga i cili nuk shkëputej dot.
Duke parë personazhin, historinë e tij personale, sakrificat për historinë e Kosovës, ky diskurs është më se i kuptueshëm.
Në fakt, patriotizmi dhe romanticiteti që e shoqëron atë, nuk është vetëm tipar i Kryeministrit të Kosovës, por, edhe e një pjese të klasës politike të saj.
Të kuptohemi, kjo është një ndjenjë e cila ka ndihmuar shumë për pavarësinë e Kosovës dhe politikës së saj deri më tani. Ndjenjë pa të cilën, asgjë që është arritur nuk do të ishte e mundur.
Mirëpo, ka ardhur koha që, klasa politike e Kosovës të ngjitet në një nivel tjetër të politikës së saj. Të hyjë plotësisht në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. E cila, për patriotizmin nuk do të dijë. Sepse, diplomacia funksion tërësisht me logjikë të ftohtë, dhe jo me emocionet që të mbërthen ndjenja patriotike, aq më tepër kur artikulohet në një mënyrë romantike, ashtu sikurse ndodh shpesh, në Kosovë dhe Shqipëri, për sa i përket çështjes së Kosovës.
Me këtë gjë, nuk nënkuptohet aspak që Kosova të lërë mënjanë interesat e saj dhe atdhedashurinë. Por, përkundrazi, interesat dhe perspektivën e saj ta mbrojë me mprehtësinë dhe inteligjencën që kërkon diplomacia.
Në këtë kuptim, artikulimi politik, sidomos për sa i përket marrëdhënies me Serbinë, i bazuar vetëm te patriotizmi dhe jo te një gjuhë diplomatike, nuk e çon Kosovën asgjëkund.
Sepse, njohja e Kosovës nga Serbia, është padyshim më e rëndësishme se sa njohjet që mund t’i vijnë nga shumë shtete të ndryshme. Shtete të cilat, shumë prej nesh nuk i dinë as emrin.
Prandaj, duhet një bisedim midis Kosovës dhe Serbisë pa paragjykime. Duke lënë pas të gjitha tabutë historike dhe duke u fokusuar tek e ardhmja ndërkombëtare e saj.
Më këtë nuk dua të them se, propozimi i Hashim Thaçit për marrëveshjen është i saktë apo jo. Edhe për faktin se, nuk ka të dhëna mjaftueshëm për këtë marrëveshje, me anë të të cilave mund të japësh një mendim përfundimtar.
Përtej këtij rasti, ajo që është e rëndësishme për Kosovën, është braktisja e një mendësie patriotike romantike, dhe futja në një logjikë diplomatike, që nuk nënkupton aspak lëshime territoresh apo nënshtrim ndaj Serbisë. Por, një logjikë tjetër që shikon përtej emocioneve që më të drejtë kaplojnë shpeshherë qytetarët dhe politikën e Kosovës.
Kosova tashmë ka një status tjetër, dhe nuk është në një moment ku emocionet të mbizotërojnë mbi logjikën. Tashmë si një shtet autonom dhe i pavarur, duhet të futet në botën e diplomacisë, e cila, është e vështirë dhe kërkon strategji të mirëmenduara.
Për të gjitha këto arsye, ka ardhur koha që, Kosova të ndërtojë politikën e saj diplomatike, duke u ngritur në një stad tjetër të filozofisë së saj qeverisëse, larg çdo tentacioni emocional, që dëmton perspektivën e saj perëndimore.

/Mapo.al

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë