FFK ka një njoftim për opinionin publik pas shitjes së biletave në ”tregun e zi”

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar opinionin se qysh në fillim të përgatitjeve për ndeshjen Kosova – Ishujt Faroe, në kordinim të plotë me UEFA-n dhe pas kontraktimit me kompaninë për shitjen e biletave të ndeshjes, ka marrë vendim në bazë të ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarje sportive, Ligji nr 05/L-075, neni 10, pika 3, që një personi nuk mund t’i shiten më shumë se 7 bileta.

Ditët e fundit ka zëra se persona të caktuar kanë blerë numër më të madh të biletave dhe ato i kanë vendosur në shitje në treg të zi.

FFK bën me dije se nuk mban përgjegjësi për shitjen e tillë të biletave dhe fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme që manipuluesit e tillë të vihen nën pranga dhe të dalin para drejtësisë, ngase në këtë mënyrë po i shkaktojnë dëme jo vetëm qytetarëve dhe institucionit, por edhe po krijojnë imazh të keq para opinionit ndërkombëtar.

Si Federatë, FFK do të bëjë çmos që qysh nga ndeshja e ardhshme shitjen e biletave ta bëjmë nëpërmjet sistemit online, në mënyrë që dokuritë e tilla negative të mos përsëriten.

FFK njofton opinionin se përveç biletave që kanë qenë të akorduara për shtëpinë e futbollit dhe pa çmim, asnjë biletë tjerë nuk ka qenë në dispozicion të FFK-së.

Njëherësh, meqenëse kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi për herë të parë do të luajmë ndeshje zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri”, presidenti, Ademi ka uruar të gjithë dashamirët dhe i ka ftuar që sonte të kenë anim të zjarrtë por korrekt për t’i dëshmuar botës që kemi kulturë të lartë sportive.

Ndërkaq, të gjithë qytetarët që me gjithë dëshirën e madhe që të kenë një biletë por që nuk e patën një mundësi të tillë, Ademi ka uruar që këtë ndeshje ta shijojnë me familjet e tyre nëpërmjet rrjeteve televizive./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë