Më parë u raportua se një i mitur ndërroi jetë pas një aksidenti në komunikacion.
Viktima në fjalë është djali i gjyqtarit të njohur kosovar, Fatlum Berisha.
Dhe tani presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka ngushëlluar Fatlum Berishën përmes një letre.
Kjo është letra e presidentit, Ademi:
E nderuara familje e Fatlum Berishës!
Lajmi për vdekjen tragjike e të hershme të djalit tuaj Drenit, na ka trishtuar e pikëlluar të gjithëve, ndaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve, Gjyqtarëve të futbollit e futbolldashësve të Kosovës të Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta.
Dreni po ndiqte gjurmët e babait Fatlumit, duke u dashuruar që në vegjëli në lojën e futbollit dhe kishte nisur të zë shtat, por vdekja e mori në lulen e rinisë, duke ja ndërprerë ëndrrën djaloshare. Ndonëse, jetoi shkurt, Dreni la mbresa të një djali me virtyte të mrekullueshme, tipare të një futbollisti që premtonte dhe të një nxënësi të shkëlqyer e të nderuar ndër bashkëmoshatarët e vet. Duke qenë një çun kaq komplet, si i tillë do të kujtohet gjithmonë.
Prandaj, në këto momente të dhembjes tuaj, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë humbjen e më të dashurit tuaj.
Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së./IndeksOnline/