Pasiguria në punë si në vitin 1965

Në vitin 1965, gazeta Rilindja shkruante për një problematikë të kohës, por që është ende aktual edhe sot.
Rilindja ia kishte kushtuar një faqe rrezikut në punë me të cilin përballeshin punëtorët çdo ditë.
Në një kolektiv të madh punues, Rilindja raportotne se si punëtorët lëndoheshin në vendet e tyre të punës dhe u mungonte mbrojtja.
“Ndër të tjera, inspektorët e punës konstatuen, për vjetin që shkoi, se numri ma i madh i lëndimeve në punë ka ngja për faj të mosorganizimit të mirë të shërbimit mbrojtës. Se: në pjesën ma të madhe të kolektiveve ky shërb nënçmohet – ose s’i vihet kujdes fare. Në Kombinatin industrial ndërtues “Ramiz Sadiku”, për tanë mbrotjen higjenike teknike kujdeset vetëm nji referent – madje nëpunës, i cili dita ditës e pret pensionimin”.
Rilindja në artikullin e titulluar “Njeriu – në rend të dytë” theksonte se asgjë tjetër nuk mund të themi, pos të shpresojmë që këto raste të mos përseritën më në të ardhmen.
“Të na shërbejë vjeti i kaluem si shembull se si s’duhet me ngja ma. Se – me i thanë kujt se nji kolektiv prej 7-8 qind puntorësh s’ka shërbim të mbrojtjes në punë, jo vetëm që duket e pabesueshme por edhe asht për çdo kritikë”.
Gazeta Rilindja kritikonte ashpër inspektorët e punës, të cilët sipas gazetës nuk po e bëjnë punën si duhet.
“E puna e inspektorëve të punës, vetem me numrue dhe mbarështrue në letër nji gjëndje të këtille, pa tregue as masat që janë marrë kundër këtyne kollektiveve (nëse janë marrë) asht edhe ma drastike. Le të na mbetet me shpresue se tash e tutje njeriu s’ka me u lanë në rend të dytë, s’i ç’ngjau bukur shpesh vjetin e kaluem”.
Gazeta Rilindja e përmbyllte shkrimin duke thënë se së paku organet vetëqeverisëse u kujtuen se për mbrojtjen higjienike e teknike s’kanë ndërrmarrë asgjë.