​Imamë të pafajshëm e xhematlinj terroristë – gjykata shpall dy aktgjykime për terrorizëm

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar katër imamë nga akuzat për nxitje të urrejtës dhe terrorizëm. Ndërkohë, që e njëjta gjykatë, në të njëjtën ditë, ka dënuar më 35 vite e gjysmë burgim nëntë xhematli myslimanë, që nën urdhrat e Lavdrim Muhaxherit kishin planifikuar të hidhnin në erë tifozët dhe lojtarët e kombëtares së Izraelit, nëntorin e vitit 2016, gjatë ndeshjes kualifikuese më Shqipërinë.

Imami Enes Goga dhe tre kolegët e tij hoxhallarë, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani, janë liruar nga akuzat për nxitje të urrejtës dhe terrorizëm, të premten, nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Trupi gjykues ka liruar nga akuza për “thirrje për rezistencë” edhe politikanin Fuad Ramiqi, që akuzohej në të njëjtin rast, shkruan Gazeta Express.

Kjo bëri që imamët të kthejnë besimin në drejtësi, për të cilin ishin treguar skeptik gjatë procesit gjyqësor që u zhvillua ndaj tyre, të nisur në pjesën e fundit të vitit të shkuar. Kjo, të paktën u pa, gjatë deklarimit të imamit nga Peja, pasi e morri vendimin.

“Jemi të lumtur me faktin se drejtësia e dëshmoi pafajësinë tonë. Edhe në vitin 2014 kur jam arrestuar kam deklaruar se ky arrestim s’ka qenë i këndshëm për mua dhe familjen. Pas krejt këtyre hetimeve po vërtetohet se ne kemi qenë të pafajshëm”, tha para mediave, Enes Goga.

Ai, përveç gjykatës, falënderoi edhe mediat e BIK’un, edhe pse për të parat tha se shpesh i kanë sulmuar, ndërsa të dytët me anë të një letre për prokurorinë kishin treguar se disa nga ligjërimet e tij dhe të imamëve tjerë të akuzuar kanë qenë jashtë juridiksionit të BIK’ut.

Në po të njëjtën ditë, një orë më herët, një tjetër trup gjykues ka dhënë 35 vite e gjysmë burgim në total, për nëntë ‘ushtarë’ të Lavdrim Muhaxherit, që para më shumë se dy vitesh planifikonin të kryenin një sulm terrorist në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër. Cak kishin qenë tifozët dhe lojtarët “jahudi”, që pak ditë pas arrestimit të grupit terrorit, kishin zhvilluar një ndeshje futbolli me kombëtaren Kuq e Zi.

Themelorja e Prishtinës dënoi më 10 vite burgim unik liderin e këtij grupi, Visar Ibishin. Po ashtu, ai obligohet të paguajë edhe gjobën prej 1800 eurosh, të cilën ia ka shqiptuar turpi gjykues.

Burim Istrefi u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Leutrim Vojvoda me pesë vjet. Të tre këta, tha kryetari i trupi gjykues, është vërtetuar se nën urdhrin e kryeterroristit tashmë të vrarë në Siri, Lavdrim Muhaxhërit, fillimisht kishin planifikuar një shpërthim kamikaz jashtë stadiumit “Loro Boriqi”, nëntorin e vitit 2016, por se kishin ndryshuar plan pasi kishin vërejtur masat e rrepta të sigurisë, e që më pas planin e kishin zhvendosur për ta hedhur në erë me eksploziv telekomandues një urë në hyrje të Shkodrës, në momentin që do të kalonin autobusët me lojëtarë nga Izraeli.

Më 5 vjet burgim, në këtë rast, gjykata e ka dënuar edhe Flamur Gashin, ndërsa 6 vite heqje lirie i janë shqiptuar Lulzim Gashit. Ndërsa, me 3 vjet e 6 muaj burim për terrorizëm është dënuar Leutrim Musliu.

Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti, të cilët gjatë procesit gjyqësor e kishin pranuar fajësinë, janë dënuar me nga një vit e gjysmë burgim. I pari, obligohet të paguajë edhe 1800 gjobë, për eksplozivin që e kishte prodhuar. Gjobë më të madhe se ky, por pa burgim, do të duhet të paguajë edhe Besart Peci, që po ashtu para trupit gjykues kishte pranuar akuzat e bëra ndaj tij. Ai u dënua me 2500 euro gjobë.

Ndërkohë se tre të dënuarit e parë planifikonin sulmin në Shkodër, gjykata tha Arton Ahmeti dhe Flamur Gashi, po ashtu të urdhëruar nga Lavdrim Muhaxheri, po donin të kryenin sulm të ngjashëm në Kosovë ndaj institucioneve shtetërore dhe ambasadave diplomatike në vend.

Kështu, sipas arsyetimit që dha kryetari i turpit gjykues, ky grup kishte për qëllim instalimin e Shtetit Islamik në Kosovë dhe Shqipëri, përmes veprimeve terroriste, shkruan Gazeta Express.

“Aktgjykimi është në emër të popullit dhe veprimet për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë janë fuqishëm të papranueshme për Kosovën”, tha kryetari i trupit gjykues.

Megjithëkëtë, Hamdi Ibrahimi tha se dënimet e shqiptuara ndaj këtyre nëntë personave mund të konsiderohen si të ulëta, përkundër se një pjesë e tyre jo vetëm se nuk kanë pranuar fajësinë por as nuk kanë treguar pendesë për veprimet e tyre. /M.Gj./GazetaExpress/.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë