Filloi lufta e arrestimeve që nuk duhet të fillonte

Tanimë është e qartë, filloi lufta e arrestimeve.

Për habi prokuroria po e lufton krimin simbas ngjyrës politike, nga ku edhe kuptohet sinjali i alarmit, që u dha në protestën e 18 Dhjetorit, kundër zgjedhjes së zhurmshme të Arta Markut, protestë e cila fillimisht m’u duke e sforcuar.

Kjo që po ndodh është një film i vjetër dhe bardhë e zi, që brezi im dhe i Edi Ramës, e ka përjetuar 1973-81, ku në harkun e 8 viteve, diktatori bëri një shfarosje të brendshme, nga parandjenja e vdekjes së tij fizike. Padyshim Shqipëria është një vend i korruptuar, thellë dhe mirë dhe në çdo qelizë. Dhe lufta kundër korrupsionit real është e mirëpritur, qoftë nga kryeprokurorja e re dhe nga kushdo tjetër.Porse të rradhisësh një serë arrestimesh njëngjyrëshe, duke peshkuar në rradhët e funksionarëve të një partie të vetme, ose në rradhët e funskionarëve të Opozitës, ndihur nga pushteti i sotëm, është një akt korruptiv edhe më i thellë.

Dhëntë Zoti, që zonja Arta Marku, të mos jetë pjesë e një loje të tillë dhe dhëntë gjithashtu Zoti që kryeministri ynë, te jetë duarjashtë kësaj gjëme, që quhet persekutim politik.Nuk ka mënyrë më të mirë se sa kjo, për të sabotuar Reformën në Drejtësi, nuk ka mënyrë më të mirë se sa “Rastësia e pazakontë”, që të “korruptuarit” të kenë vetëm një ngjyrë të caktuar politike, ndërsa të “ndershmit” të jenë edhe ata, vetëm ngjyrë rozë.Kjo e hedh në erë Reformën në Drejtësi dhe nuk është trumbetimi i fillimit të saj, por fillimi i Fundit të kërkesës së vërtetë të shqiptarëve për një Drejtësi të Drejtë.

Është kjo rruga e duhur?

Sigurisht të gjithë duhet të presin provat, por askush nuk merr dot përgjigjen bindëse, nëse ky është byreku i Tepsisë së re, të pushteti të ri.Ku është parë që “mëkatarët” përcaktohen nga tesera e partisë dhe të “ndershmit” përcaktohen përsëri nga tesera e partisë?

Ky është një film bardhë e zi, i kohërave të kaluara, që nuk ka Piktor që e ngjyros dot me ngjyra bindëse…

 

 

                                                                                                                                AUTORI: 

                                                                                                                               ARTUR ZHEJI 

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë